Miratimi i ligjit për rritjen e pagave, për sigurimet shëndetësore dhe heqja e kufizimit të përvojës së punës për pension të plotë, ishin ndër kërkesat kryesore të mësuesve sot në protestën e mbajtur në Prishtinë.
Profesori Bashkim Millaku nga Klina, pjesëmarrës në protestë, ka kërkuar nga Qeveria miratimin e Ligjit të pagave, dhe deri në aprovimin e tij të ndahen nga 100 euro për çdo muaj.
“Kemi ardhur së bashku me të gjithë kolegët për të protestuar për ngritjen e pagave, për sigurimet shëndetësore dhe çështje të tjera të arsimit. Porosia jonë për qeverinë është që t’i dëgjojë kërkesat e arsimtarëve, sepse prej përvojës time, nëse arsimit nuk i kushtohet rëndësi dhe lihet pas dore kështu si në këto vitet e pas luftës, arsimi për çdo ditë do të degradojë edhe më tutje. Sot nuk kemi mbajtur mësim për shkak se është dashur kohë për t’u organizuar dhe për të udhëtuar për të ardhur deri këtu”, u shpreh Millaku.
Edhe Skënder Gashi, mësues nga Malisheva, në protestën e mbajtur para ndërtesës qeveritare ka kërkuar rritjen e pagës dhe zbatimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore.
“Kemi tri kërkesa, që janë shumë legjitime dhe shumë të arsyeshme: Fillimi i zbatimit të Ligjit të pagave ose të shqyrtohet dhe miratohet nga parlamenti. Në kuadër të kërkesave, ne i kemi kërkuar Qeverisë, që derisa të fillojë zbatimi i Ligjit të pagave të na shtohen në pagë nga 100 euro për shkak të ngritjes së çmimeve. Sepse edhe ne kemi familje, edhe ne duhet t’i shkollojmë fëmijët tonë, edhe ne duhet të jetojmë. Prandaj, jemi lodhur. Kërkesa e dytë është fillimi i zbatimit të Ligjit për sigurimet shëndetësore, i cili nga viti 2014 akoma nuk fillon të zbatohet”, tha Gashi.
Ndërsa, Besim Dervishaj, mesues nga Peja, përveç rritjes së pagës ka kërkuar heqjen e kufizimit të përvojës së punës nga 15 vjet për pension kontribudhënës.
“Kërkesat tona janë legjitime. Së pari të miratohet sa më shpejt Ligji i pagave, i cili ka mbetur pezull, pastaj, në mungesë të këtij ligji deri në atë kohë të vazhdon dhënia nga 100 euro për secilin mësues, pastaj plotësimi i ligjit diskriminues ku përfshinë udhëzimin administrativ, 15 vjet përvojë pune deri më 1 janar 1999. Ky ligj është shumë diskriminues”, tha ai.
Drejtues të sindikatave të pavarura deklaruan se protesta e sotme është një “alarm” për Qeverisë e Kosovës që të futen punëtorët në grevë të përgjithshme deri në realizimin e kërkesave të tyre për miratimin e Ligjit të pagave. (euronews)