Në punën pedagogjike mësuesi duhet ta ruaje pozitën e tij këshillëdhënëse por edhe dinjitetin e nxënësit. Kjo është e kuptueshme po të mbajmë parasysh marrëdhëniet e punës edukative me nxënësit dhe ndikimet e tyre të ndërsjella. Në punën e tij mësuesi duhet të zhvilloj talentin, predispozitat dhe synimet që kanë nxënësit. Kësisoj nxënësi nuk ngarkohet me punë, por zhvillohet i çlodhur
Nga Xheladin MURATI
Në raportet sociale që zhvillohen në shkollë mësuesi është përballë nxënësit, botës së tij të brendshme, e cila mund të jetë e shfaqur ose jo, shqetësimeve të tij, ngushticave sociale të jetës shkollore, privimeve psikologjike, emocionale dhe pse jo ekonomike. Këto dhe arsye të tjera e vën mësuesin në rolin e këshilluesit. Mësuesi duhet ta këshilloj nxënësin të mësoj, por ta udhëzoj edhe mos lodhet.
PREMISAT
Për trajtimin e temës kemi premisat vijuese: 1. Ndikimi i mësuesit në veprimtarinë dhe jetën shkollore rrezaton më gjerë në jetën e nxënësit. 2. Mësuesi i jep mësimit një arkitekturë të caktuar që e çlodh nxënësin. 3. Mësuesi të vlerësojë arritjet dhe punën e nxënësve, ato e çlodhin atë. 4. Karakteri normativ i jetës shkollore krijon lodhje.
QASJET DHE ASPEKTET
Pse lodhet nxënësi? Pyetje shumë e rëndësishme që kërkon respekt e trajtim. Për këtë ka më shumë faktor, nga të cilat sipas mendimitt tone nxënësi lodhet nga mësuesi, ai lodhet nga librat, lodhet nga detyrat, lodhet nga stërngarkesa me mësime dhe aktivitete mësimore, lodhet nga orët mësimore, nga pesha e çantës, lodhet nga mësimet që jepen për t’u mësuar në shtëpi, lodhet nga sjelljet dhe raportet në klasë etj. Nxënësi lodhet edhe nga dituritë që jepen e që janë jo konkrete, abstrakte, jo funksionale, jo keative, nga të menduarit konfuz e jo logjikë, nga dituritë enciklopediste të ngarkuara me historicizëm etj.
Të gjitha këto janë të pranishme çdo ditë dhe ato krijojnë shpërqëndrim dhe disavantazhe për ecje përpara. Për këto arsye mësuesi duhet të ketë parasysh pikat kyçe të punës mësimore në mënyrë që të arrihet zhvillim i qëndrueshëm i të nxënit, të kuptuarit dhe ndërtimin e strukturës së dijes në situata të njohura e të pajohura pedagogjike, duke pasur gjithnjë parasysh rrugën të shkohet nga e thjeshta tek kompleksja dhe t’u jap përparësi nevojave të nxënësve dhe relaksit. Në këtë fushë është e thirrur pedagogjia dhe psikologjia të jap kontributin e saj pse nxënësit lodhen dhe si të tejkalohet ajo. Para tyre qëndrojnë tri detyra:
Së pari, ato duhet të ndriçojnë problemin e lodhjes së nxënësit me probleme mësimore dhe si të bëhet shkarkimi i tyre nga veprimet e tepruara.
Së dyti, pedagogjisë dhe psikologjisë pedagogjike u takon detyra të përpunojnë e të nxisin qasjet e nevojshme pozitive, për të krijuar terren që nxënësit të reflektojnë lodhje normale përmes punës inovative të mësuesit.
Së treti, koha, teknologjia dhe zhvillimi shtron para pedagogjisë dhe psikologjisë nevojën jetike të përballimit prej tyre të sfidave të punës mësimore e cila duhet të jetë më produktive, më efikase dhe atraktive dhe më pak lodhëse.
Mësuesit që e sforcojnë nxënësin dhe e mbingarkojnë me punë mësimore, nuk arrijnë përqendrimin e duhur madje as lehtësimin, por bëjnë mbingarkesën e tyre. Nxënësve u humbet interesimi për mësim, ato lodhen. Ndodh që nxënësi për të qenë sa më i hapur, sa më realist ndaj vetes të zbulojë të meta dhe mangësi në punën e tij. Me këtë rast ai reagon në forma e mënyra të ndryshme, dhe kjo është mire. Kjo tregon se nxënësi demonstron aftësi të mëdha menaxhuese në planin mësimor. Njëherësh ky është sinjal se ai ka arritur në njohjen e vetes. Respekti i nxënësit dhe pozita e tij në mësim ka nevojë për ndihmë dhe këshilla. Ato konkretizohen dhe jepen përmes informacioneve që i ofron mësuesi për atë që duhet të bëjë dhe si duhet ta bëjë, duke kërkuar prej nxënësit të mësoj, duke ia treguar rrugët dhe burimet e mundshme që mund të jenë të dobishme që mos lodhet. Nxënësi lodhet nga keqmenaxhimi i mësimit dhe mësimdhënies joproduktive dhe pasive.
Depërtimi në botën e brendshme të nxënësit duhet të shoqërohet me ndryshime të vazhdueshme të sjelljes dhe veprimit pedagogjik. Kjo nënkupton se mësuesi ndjen dhe jeton me problemet dhe shqetësimet e nxënësit. Mësuesi, me këtë rast në rolin e këshilluesit i ndihmon nxënësit që ai të gëzohet, tek ai të krijon shpresën e përmirësimit, përparimit dhe lehtësimit të punës. Mësuesi duhet të ketë parasysh se marrëdhëniet dhe raportet që krijon me nxënësit, nuk janë të përhershme, por të kufizuara në kohë, të ndërtuara me qëllim të caktuar pedagogjik, të cilat janë në radhë të pare dhe kryesisht në funksion të nxënësit, të lehtësimit të punës së tij, të përparimit të tij, të zhvillimit të potencialeve zhvillimore të tij në bazë të aftësive që posedon.
PËRFUNDIM
Në punën pedagogjike mësuesi duhet ta ruaje pozitën e tij këshillëdhënëse por edhe dinjitetin e nxënësit. Kjo është e kuptueshme po të mbajmë parasysh marrëdhëniet e punës edukative me nxënësit dhe ndikimet e tyre të ndërsjella. Në punën e tij mësuesi duhet të zhvilloj talentin, predispozitat dhe synimet që kanë nxënësit. Kësisoj nxënësi nuk ngarkohet me punë, por zhvillohet i çlodhur. (koha.mk)