Mësuesi sot më shumë merret me punë administrative, me letra, me formularë e më pak me orën mësimore. Prej tyre kërkohen shumë formalitete të paarsyeshme, të cilat e defokusojnë nga mësimi
Nga Xheladin MURATI
Optika e gjerë e trajtimit të raportit mësues-nxënës është pikërisht optika pedagogjike dhe psikosociale. Këto raporte nuk i nxori nga vetvetja mësuesi, por ato pasqyrojnë në një mënyrë ose në një tjetër tipologjinë e punës edukative. Teoria që merret me studimin e cilësive të përgjithshme, të veçanta dhe cilësitë specifike të mësuesit quhet PEDEUTOLOGJI. Mësuesi duhet të jep betimin për profesionin e mësuesisë.
- Mësuesit edukojnë dhe arsimojnë ardhmërinë e njerëzimit e të shoqërisë. Procesi arsimor ka metodikë dhe metodologji. Ai vepron mbi bazë të parimeve pedagogjike Mësuesit duhet të jenë të lumtur dhe të privilegjuar që u është besuar edukimi i brezit të ri, atij që nesër do të jetë protagonist dhe bartës i zhvillimit.
- Çdo mësues ka metodën e tij, dhe praktikën e tij personale e profesionale në krijimin dhe punën kreative mësimore. Rruga e diturisë është të mësoj dhe ti mësoj, pra si për të mësuar vetveten ashtu edhe për të mësuar të tjerët. Mësuesi duhet të shërbej si model dhe arkitekt i projektimit dhe planifikimit të mësimdhënies. Vetëm me arkitekturën mësimore ai e braktisë rrugën e imitimit dhe të kopjimit në mësimdhënie. Shkolla është vendi ku mësuesit ndihen të plotësuar.
- Ato me punën e tyre shprehin dhe ndërtojnë vizionin për botën dhe nxënësin. E shikojnë të ardhmen me besim dhe shpresë. Andaj idetë e mësuesit duhet të jenë shumë të organizuara dhe të strukturuara. E dimë çmimin e mësuesit, por nuk ia dimë vlerën.
- Mësuesi është njeri që gjithnjë ka objektiv, e shikon nxënësin nëpër labirintet e jetës. Mësuesi modest, nuk pret shumë por punon me zemër, çdo rol dhe detyrë e pranon me gëzim. Mësuesi është ai që e projekton fotografinë pozitive të nxënësit. Ai Krijon një fushë vizioni. Për këtë qëllim ai ka nevojë gjithmonë të rishikojë idetë, veprimet, qasjet. Thjesht të ndryshoj, të vetëndryshoj. Fryma demokratike e mësuesit mundëson formimin e personalitetit të lire, pozitiv, të vlerave të mirëfillta njerëzore e qytetare.
- Mësuesi është dëshirë. Mësuesi është arsyeja e diturisë. Mësuesi është ai që të bën të kuptosh. Mësuesi është poet, piktor, artist, sportist, stilist. Mësuesi nuk pendohet dhe nuk trishton, ai dashuron, nuk urren. Mësuesi është ai që jep dituri e ndanë vlera. Mësuesi është heshtje dhe ndjesi. Thjesht, mësuesi është ai që nxit nxënësin të shkëlqej. Nderin, prestigjin dhe dinjitetin e autoritetin personal mësuesi e fiton me punë.
- Mësuesi demokrat duhet të respekton disa parime dhe rregulla në punën me nxënës: vepro me kujdes; pakëso kritikat ndaj nxënësit; jep urdhra të prerë, por me mençuri; lëri nxënësit pak liri, mos i qëndro mbi kokë; shikoni me sy tjetër të ardhmen. Edhe pse mësuesi mund të shqetësohet për idetë dhe veprimet e nxënësit, por ai kurrë nuk duhet ta pengon lirinë e tij.
- Koha ka sjellë ndryshime në procesin e edukimit. Ky proces nuk është i ngurtë, por fleksibil. Risitë e favorizojnë kërkesën se duhet të silleni në një mënyrë të re me nxënësit. Kjo mënyrë nënkupton këto elemente:
– zemërgjerësi;
– rol drejtues, lider në mësim;
– ndryshime të vazhdueshme në mësimdhënie;
– përkushtim ndaj punës dhe secilit nxënës veçmas.
Intuita, zgjuarsia dhe guximi që e karakterizon mësuesin janë cilësitë që i ndihmojnë të arrijë rezultate.
- Mësuesi sot më shumë merret me punë administrative, me letra, me formularë e më pak me orën mësimore. Prej tyre kërkohen shumë formalitete të paarsyeshme, të cilat e defokusojnë nga mësimi. Mësuesit e vlerësojnë rolin e politikës në shoqëri, por jo edhe politizimin dhe partizimin e arsimit. Mësuesi mund të merret me politikë jashtë shkollës.
- Mësuesi fillon me nxënësit, vazhdon rrugëtimin me to dhe hulumtojnë bashkërisht jetën e re, vizionin, ardhmërinë. Prandaj ai është gjithmonë në kërkim të strategjisë së suksesit. Kështu e ndërton karrierën profesionale. Mësuesi ka nevojë edhe për ndonjë këshillë, madje edhe për trajnime. Ashtu e ndërton vizionin, karrierën profesionale dhe autoritetin për punë cilësore. Në këtë funksion ai duhet të shkëmbej përvoja me kolegët dhe bashkëpunëtorët.
- Mësuesit nuk duhet të nxitohen për asgjë sepse mund ta lëndojnë veten. Shpirti krijues dhe imagjinata i mundësojnë mësuesit të thur plane për të ardhmen e nxënësve dhe realizimin e misionit të edukimit. Të jesh mësues i mirë, do të thotë ta lësh diturinë në zhvillimin e nxënësve.
- Kompetenca dhe kreativiteti i mësuesit duhet të përqendrohet në disa fusha të veprimit, ndër të cilat i veçojmë:
– strategjia dhe teknika e të mësuarit;
– krijimi i ambientit për mësim;
– zhvillimi profesional;
– vlerësimi dhe planifikimi;
– interaktiviteti mes mësuesit dhe nxënësit;
– pjesëmarrja e familjes dhe bashkësisë lokale në organizimin e procesit arsimor dhe
– inkluzioni dhe respektimi i dallimeve dhe vlerave demokratike.
Së pari duhet të jesh aktor i mirë pastaj bëhesh mësues i shkëlqyer.
- Pavarësisht nga shqetësimet e herë pas hershme midis mësuesit dhe nxënësit, ata e dinë se respekti i tyre ndërtohet mbi bazë bashkëveprimi. Bashkëveprimi është i shëndetshëm dhe ai tregon gjendjen vijuese:
– bashkëveprimi është shenjë e një marrëdhënie të pjekur;
– bashkëveprim do të thotë të kujdesesh për nxënësin;
– bashkëveprimi lehtëson komunikimin;
– bashkëveprimi është shenjë e një raporti të shëndetshëm;
– bashkëveprimi e bën lidhjen mes nxënësit dhe mësuesit më të forte;
– bashkëveprimi i lehtëson pakënaqësitë midis mësuesit dhe nxënësit;
– bashkëveprimi tregon se e forconi bashkëpunimin;
– bashkëveprimi e zbulon pasionin e mësuesit ndaj nxënësit;
– bashkëveprimi mes mësuesit dhe nxënësit i shpëton ata nga mërzia;
– bashkëveprimi shpeshherë mund të ushqej shkëndijën e marrëdhënieve emocionuese;
– bashkëveprimi është raporti mes mësuesit dhe nxënësit nëse të dy gjithmonë janë dakord për çdo gjë!
– edhe pse mësuesi mund të shqetësohet për idetë e nxënësit, por ai kurrë nuk duhet ta pengon lirinë e tij, bashkëveprimi i largon shqetësimet;
- Mësuesit me rolin e tyre edukativ e formues nuk guxojnë të jenë të ulët, të shëmtuar, dinakë, dëmprurës, të rrezikshëm, djallëzor, përbuzës, gënjeshtarë, përqeshës. Ai duhet të jetë njeri i idealeve njerëzore e përparimtare. (koha.mk)