Mësuesi dhe nxënësi trajtohen si tema të mëdha pedagogjike. Kjo nuk është temë që mund të identifikohet me termat pozitë dhe opozitë apo pakicë dhe shumicë, meqë mësuesi nuk personifikon pushtet politikë por pushtet pedagogjik dhe nxënësit nuk paraqesin shumicë të karakterit politik Megjithatë s’është vështirë të bëhet dallimi ose të njëjtësohen këto terma
Nga Xheladin MURATI
Titulli i artikullit mund të jetë edhe ndryshe, për shembull: mësuesi dhe nxënësi: ngjashmëritë dhe dallimet. Por përmbajtja dhe qëllimi mbetet e njëjtë. E rëndësishme është për të kuptuar ndryshimin dhe zhvillimin e nxënësit.
- Premisat
Për të trajtuar temën me këtë titull kam parasysh premisat vijuese: 1. Mësuesi dhe nxënësi si pakicë dhe shumicë përpiqen që së bashku të ndërtojnë një proces pedagogjik dhe zhvillimor. 2. Midis mësuesit dhe nxënësit mund të ketë ndarje ideologjike, politike, fetare etj. 3. Midis mësuesit dhe nxënësit nuk ka konflikte mbase ato mbjellin farën e mirëkuptimit, humanizmit dhe solidaritetit. 4. Mësuesi ndërton vlera bazuar jo në forcë, por në parime pedagogjike e bashkëpunuese partneriale.
- Qasjet dhe aspektet
Raporti mësues-nxënës ndërtohet gjatë komunikimit verbal dhe jo verbal nëpërmes pozicioneve ndaj nxënësve (zëri, toni, ngjyra) me të cilin drejtohet, gjestikulacionet, kontaktet me sy. Mënyra e realizimit të këtij komunikimi të mësuesit jep garanci të nevojshme për edukim cilësor. Mbase raporti mësues – nxënës është komplementar dhe shumë pak subordinar, por ky raport paraqet në njëfarë mënyre raportin e shumicës dhe pakicës. Në këtë raport shumica i nënshtrohet pakicës, sepse mësuesi si pakicë ofron veprimtari dhe bën punë për shumicën, përkatësisht nxënësit mbi bazë të parimeve pedagogjike dhe didaktike-metodike. Pakica, në fakt, është sfidantja e regjimit pedagogjik ndaj shumicës. Prandaj, mendoj se këto dallime midis mësuesit dhe nxënësit janë të vogla, por esenciale. Ato funksionojnë si dy subjekte partnere duke realizuar programe dhe detyra pavarësisht se a pajtohen nxënësit, në këtë rast shumicë. Aty nuk luftohet për pushtet, por për dije dhe në atë proces respektohen të drejtat e shumicës, dinjiteti i tyre dhe barazia e liria.
Është me rëndësi që pakica (mësuesi) të bëhet pakicë e reformuar dhe i aftë të udhëheq dhe drejton shumicën (nxënësit).Në këto raporte është e pranishme demokracia dhe liria e kufizuar. Demokracia mes tyre zhvillohet në mënyrë aktive dhe interaktive duke zbatuar forma të shumta të bashkëpunimit.
Pakica (mësuesi) synon dhe arrin të bëhet stimulues i veprimeve të shumicës. Ai përcakton veprimet se çka duhet të punojë, si duhet të punoj shumica. Mendoj se në këto raporte mbizotëron një qasje që e riprodhon sferën pedagogjike si një mekanizëm për zhvillimin e shumicës. Sa më shumë që raportet mësues-nxënës janë të kuptueshme, të hapura dhe të besueshme, aq më shumë krijohet qasje pozitive në edukim.
E veçanta e këtyre raporteve është se pakica ofron alternativë pedagogjike ndërsa shumica ato i pranon pa mos bërë amendamente për ndryshimin apo plotësimin e tyre. Të dy subjektet mjaft të ndryshme i nënshtrohen një qëllimi: edukim cilësor
E dyta, pakica ofron program pune me përmbajtje zhvillimore pedagogjike të cilin shumica e pranon dhe i nënshtrohet. Aty krijohen raporte realiste, por disi të kufizuara për nxënësit.
E treta, pakica nuk vepron nën presion të shumicës dhe kjo e dallon nga gjithë të tjerat, mund të ketë tensione që nuk duhet të ndikojnë në procesin e përbashkët edukativ.
E katërta, në procesin e edukimit midis pakicës dhe shumicës nuk ka proces negociator. Aty zhvillohet një dialog kreativ dhe konstruktiv i pa ndërlikuar dhe pa ndërhyrje nga jashtë. Dialogu bëhet me qëllim të arritjeve të shumicës dhe përparimit të saj; ajo është një marrëveshje gjithëpërshirëse pedagogjike me synime objektive dhe të qarta .Dialogu në fakt, synon eliminimin e paragjykimeve, zgjidhjen konstruktive të konflikteve eventuale mësues-nxënës dhe integrimin e nxënësve në klimën sociale të klasës.
E pesta, raportet mësues-nxënës apo pakicë-shumicë psikologjikisht u shërbejnë disa qëllimeve. Në radhë të pare në këtë ndikojnë takimi, mbledhja dhe solidarizimi. Ato janë të angazhuar për ndërtimin e barazisë, eliminimin e paragjykimeve dhe keqkuptimeve, përndryshe procesi i edukimit ngecë.
E gjashta, raportet mësues-nxënës shërbejnë si një çast magjie, mirësie, ndarje emocionesh. Kur nxënësi ndjehet i lirë të shprehë qëndrimet e tij dhe dilemat dhe njëkohësisht të jetë i hapur, të dëgjoj dhe të ketë besim ndaj asaj që jep mësuesi procesi i edukimit bëhet kreativ e domethënës.
Po atëherë ky ndryshojnë këto dy subjekte? Ndryshimet janë të mëdha dhe të dukshme jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në shumë aspekte të tjera, që gjithsesi është normale. Dallimet themelore janë në konceptet, në pikëpamjet, në vizionin që reflektojnë, në mënyrën e të menduarit dhe të gjykuarit, në logjikën, në shprehjen e emocioneve dhe kontrollin e tyre, në qasjet ndaj jetës, në punën udhëheqëse dhe organizuese, menaxhimin me zhvillimin e nxënësve, pozita e nxënësit në klasë dhe pozita e mësuesit, i pari dëgjon i dyti dirigjon, niveli dhe mënyra e komunikimit, shkathtësitë dhe shprehitë e punës, bota e mësuesit dhe bota e nxënësit e të ngjashme.
Po konvergjimet?Edhe këtu ka shumë sish. Në radhë të pare në arritjen e suksesit të nxënësve, në formimin e tyre, në nxitjen dhe stimulimin e nxënësve, në punën e përbashkët mësimore etj. Nxënësit konkurrojnë dhe garojnë me dije me njëri-tjetrin ndërsa mësuesit fuqizojnë suksesin e tyre që varet ekskluzivisht nga forca e vullnetit të brendshëm. Po çka është e njëjtë? Pikat kryesore nuk dallojnë shpesh nga ajo çka është e njëjtë. Pikat e këtilla janë: programi mësimor, libri, synimet, objektivat, mësimi dhe detyrat.
Në fakt, dua të vë në pah se profesioni i mësuesisë kërkon një përkushtim e vullnet më të madh në mënyrë që të realizohen me sukses objektivat e parashtruara. Pavarësisht sfidave që ofron profesioni i mësuesisë, këshilloj që nxënësit të jenë të interesuar të edukohen pa frikë, kurse mësuesi të provojë dhe sfidojë zhvillim e nxënësit duke kultivuar dëshirën dhe pasionin për edukim. Në këtë rrugëtim të gjatë të punës së përbashkët pedagogjike të mësuesit dhe nxënësve filozofia që i udhëheq të dy palët për të vazhduar gjithmonë fuqishëm dhe suksesshëm është pikërisht frymëzimi i punës bashkëpunuese dhe kreative sipas parimit komplementar duke u ofruar gjithmonë nxënësve mësim të dizajnuar dhe me cilësi.
Në fakt, ku qëndron suksesi i punës edukative?Suksesi i punës edukative është rezultat i një angazhimi të pandalshëm të mësuesit i cili si kopshtar e kultivon me vëmendje, pasion dhe përkujdesje të veçantë tek nxënësit.
III. Konkluzion
Mësuesi dhe nxënësit apo pakica dhe shumica janë dy subjekte në procesin e edukimit të cilat ndërrojnë raporte zhvillimore duke i shndërruar dallimet e tyre në një pasuri të përbashkët. Pa marrë parasysh pozitën pakicë-shumicë apo mësues – nxënës, në procesin e edukimit, funksionimi pedagogjik nuk vihet në pikëpyetje. Mësuesi punon me nxënës që nesër të sjellë protagonist të aftë që do të ndërtojnë, udhëheqin dhe përparojnë shoqërinë. (koha.mk)