Është koha për të zhdukur gomën nga jeta e fëmijëve tanë? Akademikët thonë PO. “Instrumenti i djallit” duhet të hiqet nga përdorimi, sepse i bën fëmijët të kenë turp nga gabimet e tyre.
Guy Claxton, ekspert edukimi në “King College” të Londrës, është shprehur se fëmijët duhet të mësohen me gabimet e tyre, nuk duhet të kenë frikë nga ato, por duhet t’i shfrytëzojnë për të mësuar. Ai beson se gabimet i përgatitin fëmijët “për realitetet e shekullit të 21-të.”
“Është një mënyrë e të gënjyerit të botës, kur themi: “Nuk bëj gabime, e bëra siç duhet që me herën e parë.” Kjo është ajo që ndodh kur ti fshin një gabim të bërë dhe e zëvendëson atë. Ndërkohë që ne kemi nevojë për një kulturë tjetër, për fëmijë që nuk kanë frikë nga gabimet, por që mësojnë nga ato duke u përmirësuar me kalimin e kohës. Fëmijët duhet të jenë të interesuar më shumë për procesin e gjetjes së një përgjigjeje të saktë, sepse kjo është ajo që që duhet në botën tonë”,- ka deklaruar Claxton për “Daily Telegraph”, duke shtuar se “goma nuk bën gjë tjetër veçse tregon një kulturë turpi për gabimet, gjë që është shumë e gabuar:
“Fëmijëve duhet t’u thuhet se mësuesit kanë bërë gabime, prindërit gjithashtu, dhe jo të gënjehen. Fshirësja nuk i përgatit për jetën, në një shekull ku shumë punë duhet t’i bësh vetë. Shkolla nuk duhet të jetë një vend ku përgjigjet e sakta bëjnë të kalosh provimin, por një vend që i përgatit nxënësit për botën reale, jashtë atyre mureve”,- vazhdoi Claxton duke shtuar se “jashtë, në botën e madhe, asgjë nuk rrotullohet rreth teje, askush nuk bën punët e tua, askush nuk organizon kohën tënde. Në shekullin e 21-të, je ti i vetmi dizajner, arkitekt apo kurator i të mësuarit.”
Fshirja e gabimeve nuk i përgatit fëmijët për jetën, sipas profesorit Claxton, i cili i referohet një studimi të Paul Tough, autor i librit “How Children Succeed”, kur thotë se shkolla duhet të përgatisë fëmijët për atë që i pret në të ardhmen.
Kështu, akademikët arrijnë në konkluzionin se fëmijëve nuk u duhet ushtruar presion duke u thënë se duhet t’i fshijnë gabimet, por u duhet thënë që t’i nxjerrin në pah ato, “sepse gabimet janë miqtë tuaj, janë mësuesit tuaj.”