Trajneri i Argjentinës, Jorge Sampaoli, e vlerësoi Lionel Messin si mahnitës, duke thënë se ylli i Barcelonës kishte treguar se i pëlqente të luante për kombin e tij. Messi përfundimisht hyri në listën e shënuesve në Kupën e Botës 2018, duke hapur rezultatin ndaj Nigerisë, ndërsa Argjentina arriti në 16 skuadrat e fundit me një fitore 2-1 të martën. Ndërsa, avantazhi i klasit të Leo Messit u anulua nga një penallti e kthyer në gol nga Viktor Moses, Markos Rojo shënoi golin e fitores në minutën e 86-të, për ta renditur skuadrën e Sampaolit të dytën në Grupin D. Në mes të presionit të madh ndaj Messit, me Argjentinën duke luftuar në Rusi, Sampaoli hodhi poshtë çdo sugjerim se 31-vjeçari nuk gëzonte duke e përfaqësuar vendin e tij. “Çdo herë që Messi luan, ai tregon se është fantastik, mbi të gjithë të tjerët, por ka nevojë për mbështetjen e shokëve të tij”, – tha trajneri Albicelest në një konferencë shtypi. – Gjëja më e rëndësishme për Leon është ana e tij njerëzore. Ai është i mahnitshëm, është një person që qan, që vuan dhe lumturohet kur Argjentina fiton. Pra, për mua është e rëndësishme t’i ndani ato ndjenja. E kam parë të lumtur dhe të trishtuar. Shumë njerëz thonë se Leo nuk gëzon të luajë për Argjentinën, por ai vuan dhe gëzon si çdo lojtar tjetër, dhe kjo e bën atë edhe më të madh”, deklaroi Sampaoli. Argjentina do të përballet me Francën në përplasjen direkt të raundit të ardhshëm, në Kazan, të shtunën.
Messi: E dija që Zoti ishte me ne
Lionel Messi la gjurmën e tij në këtë Botëror, duke realizuar golin e parë për Argjentinën në fitoren 2-1 ndaj Nigerisë. “Pleshti” nuk e ka fshehur gëzimin e tij për këtë kualifikim të vështirë. “E dija që Zoti ishte me ne dhe që nuk do të na linte jashtë Botërorit. Fitorja është për të gjithë njerëzit që kanë ardhur këtu në Rusi për të na mbështetur, për sakrificën e tyre”, tha Messi. “Fansat e shumtë që na kanë mbështetur e meritonin këtë fitore. Kishim besim tek forcat tona dhe se do ta fitonim këtë garë dhe ishte diçka fantastike që e fituam ndeshjen në këtë mënyrë. Vuajtëm, por ia dolëm mbanë dhe kjo fitore ia vlejti”, deklaroi ai.
Maradona: Nuk jam në spital, do të qëndroj gjatë në Rusi!
Diego Armando Maradona pati një problem shëndetësor gjatë ndeshjes Argjentinë-Nigeri 2-1. Legjenda e futbollit Albiceleste u fotografua në një moment delikat, kur po i matnin pulsin dhe nuk i hapte dot sytë. U tha se kishte përfunduar në spital e gjëra të tjera të këtij lloji, por vetë “Pibe D’Oro” ka sqaruar gjithçka përmes një statusi në “Facebook”, ku shkruan: “Dua vetëm t’ju them se jam mirë, që nuk jam dhe nuk isha në spital. Gjatë kohës së lojës me Nigerinë kisha një dhimbje të rëndë në kokën time, isha i trullosur si me magji. Një doktor më vizitoi dhe më këshilloi të shkoja në shtëpi para pjesës së dytë, por vendosa të qëndroj, sepse po luanim gjithçka e për çdo gjë. Si mund të largohesha? Një puthje për të gjithë dhe faleminderit për mbështetjen. Diego do të jetë ende atje, për një kohë të gjatë!”, shkroi Maradona.