Lionel Messi do të ndërtojë qendrën më të madhe të trajtimit të kancerit të fëmijëve. Nëpërmjet fondacionit të tij që mban të njëjtin emër, Messi ka arritur të mbledhë 30 milion euro. Sulmuesi argjentinas do të jetë përgjegjësi kryesor për ndërtimin e kësaj qendre.
Struktura e re, e quajtur “SJD Pediatric Cancer”, do të ndërtohet në spitalin Sant Joan de Déu të Barcelonës dhe do të jetë një qendër model, e specializuar në kërkime shkencore lidhur me sëmundjen e kancerit, por që padyshim që do të merret edhe me trajtimin pacientëve të vegjël.
Messi, përveç dhurimit personal dhe mbledhjes së fondeve përmes fondacionit, “vendosi fytyrën e tij” për të promovuar fushatën reklamuese të projektit. Ka një fushatë për mbledhjen e fondeve me hashtagun #paralosvalientes (për trimat), ku shuma e grumbulluar kaloi shifrën prej një milion euro.
Projekti synon gjithashtu të ndërgjegjësojë shoqërinë rreth sëmundjes së kancerit, një e keqe e përhapur që fatkeqësisht prek edhe moshat e reja, të detyruar çdo ditë të luftojnë si luftëtarë të vërtetë me shpresën për tu kuruar.