Pas një sezoni të gjatë dhe të ngjeshur, futbollistët kanë rendur nëpër destinacionet e preferuara turistike për të kaluar pushimet verore, para se të rikthehen sërish “nën armë”. Dikush ka zgjedhur vendet ekzotike, dikush malin, por shumica po rrëziten në diell, në ujërat e kaltra të deteve. Tre miq të ngushtë, Lionel Messi, Luis Suarez dhe Cesk Fabregas po i kalojnë bashkë pushimet. Ata janë të shoqëruar nga bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, ndërkohë që me jahtin luksoz lëvizin në Ibiza. Spanjollja “AS” ka arritur t’i fotografojë ata në momente të plazhit, hipur në një jaht të bardhë, apo mbi motorra uji të vegjël. Të bën përshtypje se Messi e ka ende trupin e bardhë, nuk ka marrë aq shumë ngjyrë nga rrezet e diellit. Ndoshta po e ruan veten për dhëndërr, meqë më 30 qershor ai do të zhvillojë edhe martesën me Antonella.