“Goditja ishte e fuqishme. Pas ditës së ndeshjes dhe gjatë ndeshjes; ishte sikur të ishte goditur nga një kamion”, kështu e përshkroi Ernesto Valverde gjendjen e Lionel Messit të premten e kaluar, pasi argjentinasi kishte pësuar një tronditje nga Chris Smalling në Old Trafford. Smalling e përgjaku dhe e mavijosi Messin në fitoren e Barcelonës 1:0 kundër Manchester Unitedit të mërkurën e kaluar në ndeshjen e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve. Testet mjekësore të kryera më vonë, treguan se Leo nuk kishte pësuar thyerje të eshtrave në hundë apo faqe, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta Koha.
Trajneri Valverde vendosi ta pushojë Messin përfundimisht kundër Huescas të shtunën, dhe ai stërviti pa pengesa të dielën, dy ditë para ndeshjes së kthimit çerekfinale në Camp Nou. Sic është parë edhe në video të publikuara nga faqja zyrtare e Barcelonës në rrjetet sociale, Messi stërviti me top dhe pa të dhe u shfaq edhe në gjendje shumë të mirë fizike. Ai u duk se e shijoi edhe ndeshjen stërvitore me bashkëlojtarët. Një fotografi e postuar në Twitter nga Barcelona e shfaq Messin shumë të lumtur, që nënkupton se ai e ka harruar plotësisht “kamionin” Smalling.