Paulinjo ka zbuluar se një bashkëbisedim i zhvilluar mes tij dhe Lionel Messit gjatë një ndeshje i ka hapur rrugën transferimit të tij te Barcelona. Ish-mesfushori i Totenhem ka nënshkruar me klubin katalanas në gusht, me Barcelonan që ka shpenzuar 40 milionë euro për ta marrë nga klubi kinez i Guangzhou Evergrande. Gjithsesi, tani është zbuluar se Messi kishte filluar të punonte për rekrutimin e tij që në muajin qershor, kur të dy lojtarët kanë luajtur kundër njëri-tjetrit në një miqësore të zhvilluar mes Brazilit dhe Argjentinës.
Pavarësisht rivalitetit që ekziston mes dy vendeve, ylli i Barcelonas ka përfituar nga rasti për ta pyetur kundërshtarin e tij në lidhje me mundësinë që të luanin bashkë në Spanjë. “Po bëhesha gati që të gjuaja një goditje dënimi në një ndeshje mes Brazilit dhe Argjentinës”, ka thënë Paulinjo për “El Periodico”. “Papritur, pashë Messin mbrapa meje që po afrohej dhe ai më tha ‘do të shkojmë te Barcelona apo jo?’ Unë i thashë, ‘nëse ti do të më çosh atje, mundesh. Do të shkoj’. Isha aq i emocionuar sa i thashë Willian, ‘gjuaje ti goditjen e dënimit’. Pas ndeshjes këmbeva fanellën me Messin. Nuk më la ta gjuaja atë goditje dënimi, por tani jam këtu”, deklaroi Paulinjo.