Kjo nuk ka qenë nisja më e mirë e sezonit që Barcelona ka bërë ndonjëherë, por Lionel Messi vazhdon të … jetë Lionel Messi. Sulmuesi i katalanasve javë pas jave është shembulli në fushë, teksa hera e fundit kur u tregoi shokëve të tij të skuadrës se si luhet futbolli qe të shtunën. Kampionët e Spanjës fituan 3-0 ndaj Osasuna-s dhe argjentinasi shënoi dy gola për të arritur në kuotën e 11 rrjetave të këtij sezoni, një më shumë se Luis Suarez dhe Cristiano Ronaldo, “gjahtarët” e trofeut të golashënuesit më të mirë në La Liga. Gjithsesi, nëse u hedhim një sy të gjitha performancave të 29-vjeçarit gjatë këtij viti kalendarik, rezulton se gjithsej ai ka shënuar 50 gola. Natyrisht, meqë ka ende edhe dy ndeshje për të luajtur, “Pleshti” ka mundësinë të përmirësojë shifrat e tij. 5-herë fituesi i “Topit të Artë” duhet të “ruhet” nga ndjekësi më i afërt, Luis Suarez, i cili deri tani ka shënuar 46 gola. Konkurrenca me rivalin e tij më të madh, Ronaldo, në këtë aspekt nuk vlen aspak, sepse portugezi ka shënuar “vetëm” 38 gola.