Ish-mesfushori i katalanasve ka këshilluar Lionel Messin për të qëndruar përjetë te Barça. Legjenda e Barcelonës Xavi ka deklaruar që do të ishte më e mira për Messin ta përfundonte karrierën me skuadrën nga Camp Nou.
Çështja e kontratës së re e Messit me Barcelonën është një temë shumë e diskutueshme këto ditë, pasi marrëveshja aktuale e tij me klubin skadon në fund të këtij sezoni, ndërsa Barça ende nuk ka konfirmuar vazhdimin e saj.
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu ka thënë para pak muajsh se marrëveshja mes palëve është arritur dhe krejt çka mungon është zyrtarizimi dhe Xavi shpreson që fjalët e presidentit të jenë të vërteta.
“Nuk jam ende i sigurt nëse ka nënshkruar kontratën e re, ashtu siç ka thënë presidenti”, ka deklaruar Xavi për Goal. “Për mua është gjithçka e kryer. Messi ka nevojë për Barcelonën e sidomos Barcelona ka nevojë për Messin. Do të ishte shumë mirë për ta nëse Messi qëndron deri në fund të karrierës. Si anëtar i Barcelonës, unë do të doja ta shihja Messin ta përfundojë karrierën në Camp Nou, sepse me të kemi gjasa më të mëdha për të fituar trofe të tjerë. Ai është futbollisti më i mirë në histori të futbollit”, ka përfunduar Xavi.