Nga Spanja shpërthen lajmi, që nëse konfirmohet, do të nxiste skenare të larmishëm. Messi largohet nga Barcelona gratis në verën e vitit 2018, atëherë kur skadon kontrata aktuale e pleshtit me klubin blaugrana. Sipas asaj që raportohet nga media gjigante spanjolle “Marca”, në fakt, verën e kaluar argjentinasi ka refuzuar rinovimin e avancuar nga klubi katalanas, në mënyrë që të mund të reflektojë mbi të ardhmen e tij me qetësi dhe në liri. Ndërkohë, Manchester City i Guardiolas mbikqyr i interesuar. Akoma më shumë madje, teksa sipas “Marca”, Messi do të bashkohet me Guardiolan në vitin 2018. Në javën e dytë të muajit korrik, Messi ka refuzuar Barcelonën ndërkohë që ndodhej me pushime, në Ibiza bashkë me familjen e tij. Një vendim ai për të mos rinovuar, që iu komunikua klubit nëpërmjet babait të futbollistit që është njëherësh edhe menaxher i tij, Jorge.
“Marca” citon momentin e veçantë në të cilin ndodhej asaj kohej Messi. Fillimisht “k.o” me Argjentinën në finalen e Coppa America, me atë dorëheqje e largim provizor nga kombëtarja, më pas dënimi me 21 muaj, veç gjobës prej 2 milionë euro për evasion fiscal. Një situatë aspak e lehtë, që shtyu Leon për të kërkuar më shumë kohë. Ndërkohë, Barcelona ka tutelën mbi futbollistin falë klauzolës maksimale prej 250 milionë euro, sikurse është e vërtetë që vera e vitit 2018 nuk është tashmë dhe aq larg, dhe kohë për të humbur nuk ka, duke konsideruar faktin që Manchester City i Guardiolas është i gatshëm të tundojë Leon me një propozim të parefuzueshëm. Ja pse presidenti Bartomeu është prej kohësh i angazhuar për të blinduar pleshtin me një rinovim që parashikon një tjetër rritje dhe tejzgjatje të angazhimit aktual. Të humbësh Messin në parametra zero, në vitin 2018 do të ishte një dëm i pallogaritshëm.
Sipas “Marca”, Messi ka marrë tashmë vendimin, pas dënimit me 21 muaj me kusht nga një gjykatë spanjolle, për mashtrim fiskal. “Marca” hipotezoi se Messi, pas dy vitesh mund të transferohet në klubin e ish-trajnerit të tij, Pep Guardiola, te Manchester City. Lajmi i gazetës “Marca” ka tërbuar një tjetër organ shtypi, “Sport” që konsiderohet si një media përkrahëse e Barcelonës, dhe që denoncoi sipas saj, mashtrimin e radhës nga ana e “Marca”, me pretendimin se po tenton të destabilizoijë gjeniun e skuadrës blaugrana. “Një manovër e re për të tentuar të ndalë në çdo mënyrë një futbollist që nuk arrijnë ta ndalin në fushë”, citon “Sport”. Ndërkohë, është e vërtetë që Messi nuk ka rinovuar me Barcelonën kontratën që skadon pas dy vitesh, ndryshe nga sa ka bërë Neymar dhe sëshpejti do të bëjë edhe Luis Suarez. Por sipas “Sport”: “Leo nuk nxiton, sepse ka besim në vetvete dhe te klubi. Të gjithë e dinë se Messi dëshiron të qëndrojë te Barcelona, për ta mbyllur këtu karrierën e tij”.