Tashmë janë publikuar statistikat të cilat tregojnë se sa është numri i kosovarëve që jetojnë në Zvicër.
Numri i të huajve që gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 i janë bashkuar popullsisë rezidente të Zvicrës ka pësuar rënie në krahasim me tremujorin e shkuar për 0.2 për qind, siç ka bërë të ditur Sekretariati Shtetëror për Migracion në Zvicër, transmeton KOHA.
Siç shkruan Albinfo.ch, në Zvicër për tre muaj nga Bashkimi Evropian dhe EFTA Zvicrës i janë bashkuar 33580 persona për të nisur një punë aty. Kjo në krahasim me tremujorin e një viti më parë është për 1.5 për qind më pak.
Si rezultat i lëvizjeve të shumta në Zvicër, bilanci i migrimit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar tregon rritje për 3.5 për qind ose 13652 të huaj më shumë. Nga ky numër, 8481 persona kanë ardhur nga shtete e BE/EFTA, që përbën një rritje prej 4.6%. Nga vendet e treta kanë ardhur 1.8% më shumë të huaj. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017 bilanci shënon rënie prej 6.7%.
Në kuadër të bashkimit familjar në Zvicër kanë migruar 9511 persona ose 6.6% më pak se në tremujorin e parë të vitit 2018. 20.6% të këtyre njerëzve kanë qenë pjesëtarë të familjeve të shtetasve zviceranë.
Kështu, në fund të marsit në Zvicër kanë jetuar 2 milionë e 090.669 të huaj. Një milion e 429482 prej tyre janë shtetas të BE-së ose të EFTA-s dhe 661.187, të vendeve të treta.
Statistikat tregojnë se në këtë tremujor numri i shtetasve të Kosovës që jetojnë në Zvicër ka qenë 113 mijë e 482 ose 5.4 për qind e numrit të huajve. Shtetasit kosovarë janë në vendin e pestë pas italianëve, gjermanëve, portugezëve dhe francezëve. Shtetasit e Maqedonisë (shumica dërmuese e tyre janë shqiptarë), me 66 mijë e 561 ose me 3.2%, janë në vendin e tetë për nga madhësia e komunitetit, transmeton albinfo.
Përqindjen dhe numrin më të madh ashtu sikurse edhe deri tash e përbëjnë shtetasit e Italisë, 322 mijë 888 ose 15.4%. Pas tyre vijnë në radhë gjermanët me 308 mijë e 736 ose 14.8% ndërsa në vendin e tretë portugezët me 265 mijë e 621 veta ose 12.7%. (koha.mk)