Laura PAPRANIKU
Shkup, 25 janar – Në Maqedoni është ende shumë herët të flitet për shkolla me standarde të larta apo që janë në frymën e shkollimit bashkëkohor, aq më pak për një infrastrukturë shkollore të ngjashme nëse jo të njëjtë në gjithë territorin., shkruan gazeta KOHA Në përjashtim të disa shkollave me standarde të lakmueshme e që mund të numërohen me gishta, marrë në përgjithësi infrastruktura është tejet e rënduar: me objekte të vjetra, me klasë të stërmbushura dhe pa pajisje bashkëkohore mësimore. Madje, kanë deri edhe mungesa elementare. Sot e kësaj dite, kemi ende shkolla të cilat nuk kanë salla sportive, kabinete apo edhe klasa të mjaftueshme për mësim.
Në rrethana të këtilla, nuk janë pak shkollat ku është e pamundur të realizohet programi mësimor. Edhe pse të obliguara me ligj, orët plotësuese dhe orët shtuese të mësimit më nxënës të dobët, respektivisht të talentuar, është e pamundur të realizohen në pjesën më të madhe të shkollave. Nëse të gjitha shkollat do të punonin vetëm në njërin ndërrim, nxënësit do të kishin mundësi të mbajnë orë plotësuese dhe orë shtuese, mirëpo në kushtet e shkollave tona kur ata që mësojnë në ndërrimin e dytë mezi presin të përfundojë ndërrimi i parë, nuk është e mundur një gjë e tillë.
Madje, nëpër shkolla shpesh herë nuk mjafton koha as për pastrimin e klasave mes dy ndërrimeve. Për shkollat që punojnë në tre ndërrime, si pastrimi ashtu edhe mësimi bëhen me improvizime. Në Ligjin për arsim fillor qëndron shumë qartë obligimi për organizimin në shkollë edhe të orëve të mësimit plotësues dhe shtues krahas orëve të lëndëve obligative dhe zgjedhore. Neni 27, i këtij Ligji shkruan: “mësim plotësues organizohet për nxënës të cilët në vazhdimësi tregojnë rezultate të dobëta në mësim, e veçanërisht nëse kanë së paku dy nota të dobëta, kanë rezultate të dobëta në lëndë të caktuar mësimore, mungojnë nga mësimi në lëndë të caktuar mësimore dhe nëse kjo bëhet me kërkesë të nxënësit ose prindit, përkatësisht tutorit të tij”. Arsimtari i cili e realizon mësimin, i detyron nxënësit për ndjekjen e mësimit plotësues, thuhet më tej, ndërsa saktësohet se nxënësi mund të ndjek maksimalisht mësim plotësues në dy lëndë gjatë një muaji, e nëse nuk e bën këtë merr mungesa të paarsyeshme. Mirëpo, në shumë shkolla arsimtarët nuk mund të organizojnë mësim plotësues, sepse nuk kanë hapësira. Me këtë problem janë të njoftuar sigurisht edhe organet kompetente, inspektorët dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Por, edhe përkundër kësaj, kur vjen në pyetje që të raportohen mangësi të këtilla, të gjithë “mbyllin sytë”. Në raportet për evoluimin e shkollave, si gjatë vlerësimit të brendshëm ashtu edhe të jashtëm shënohet sikur janë realizuar orët plotësuese, organizmi i të cilave është i detyrueshëm me ligj edhe pse të gjithë (arsimtarët, drejtorët, inspektorët) e dinë se nuk është aspak e vërtetë një gjë e tillë.
Ndërkaq, për nxënësit që vazhdimësi arrijnë rezultate të konsiderueshme në lëndë të caktuara mësimore, pra për nxënësit e talentuar, neni 28 i Ligjit për arsim fillor kërkon që të organizohet mësim shtesë. Kjo mundësi u ofrohet nxënësve nga ana e mësimdhënësve, ndërsa të parët duhet të vendosin vullnetarisht nëse do të përfshihen në mësimin plotësues. Shkolla, ndërkaq, duhet që më së voni deri më 20 shtator të vitit përkatës shkollor (që është duke rrjedhur) të shpalos orarin përkatës në vend të dukshëm në shkollë dhe të njëjtin ta dorëzojë në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit. Për çdo mosrealizim të pa arsyeshëm të orëve shtuese pasojnë sanksione, respektivisht masa disiplinore për arsimtarin nga dënimi në rrogë deri në përjashtimin nga puna.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.