Afrim Zimeri, mësues i gjeografisë nga shkolla fillore “Rilindja” në Llojan të Komunës Likovës, për gazetën KOHA deklaron se gjysmëvjetorin e parë e kanë mbajtur nga distanca dhe se adaptimi me metodën e re të mësimdhënies, megjithatë ka qenë i vështirë. Veç kësaj, edhe notimi i nxënësve nuk ka qenë siç duhet të ishte
Zenel MIFTARI
Shkup, 16 janar – Paraqitja e virusit korona dhe vendosja e masave kundër përhapjes së tij, ndryshoi zakonet e shumta të të gjithë popullatës ane mbanë botës. Gati se çdo sektor ka ndryshuar mënyrën e të punuarit dhe angazhimit të tyre. Por më së shumti korona ka ndikuar në procesin e zhvillimit të mësimit dhe në veçanti te filloristët dhe tek nxënësit e shkollave të mesme. Vështirësitë e shumta u paraqiten që nga mbajtja e mësimeve nga distanca, notimi e deri te adaptimi i tyre me metodën e re të të mësuarit në kohë pandemie. Viti shkollor 2020/2021, pothuajse nga fillimi u zhvillua në distancë, në përjashtim të nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e tretë dhe në shkollat ku kanë numër të vogël të nxënësve.
Ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Mila Carovska, ka deklaruar se MASH në bashkëpunim me të gjithë institucionet dhe bashkëpunëtorët, duhet të krijojnë më shumë qetësi për zhvillimin e këtij procesi dhe të japin secili mbështetje, sepse çdo stres shtesë do të ndikoj për krijimin e një perceptimi të gabuar te fëmijët. Madje, ajo ka paralajmëruar se edhe fillimi i gjysmëvjetorit të dytë, që pritet të nis nga fundi i këtij muaji, do të zhvillohet onlajn.
Lulieta Shabani Qerimi, drejtoreshë e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina”, për gazetën KOHA, tregon se janë respektuar protokollet shëndetësore, ndërsa gati gjysma e nxënësve, i janë nënshtruar mësimit me prezencë fizike. “Fillimisht kemi realizuar anketë me prindërit e fëmijëve se si dëshirojnë ta realizojnë mësimin dhe numri më i madh i tyre u shprehen që mësimin dëshirojnë ta ndjekin në mënyrë fizike. Pak para fillimit të viti shkollor, vjet, gjithashtu u furnizuam me kompjuter, mikrofona, rrjet më të fort për shkollën duke furnizuar shkollën me rrjet optik dhe të gjitha pajisjet tjera të nevojshme për realizimin e mësimit online”, thotë Shabani Qerimi, ndërsa informon se nga 1025 nxënës sa ka shkolla fillore “Hasan Prishtina”, mësim me prezencë fizike kanë ndjekur 468 nxënës, ndërsa mësimin nga distanca – 557 nxënës.
Afrim Zimeri, mësues i gjeografisë nga shkolla fillore “Rilindja” në Llojan të Likovës, për gazetën KOHA, ka deklaruar se gjysmëvjetorin e parë e kanë mbajtur nga distanca dhe adaptimi me metodën e re të mësimdhënies, megjithatë ka qenë i vështirë. “Mua si mësues i gjeografisë më kanë munguar mjetet elementare për zhvillimin e orës siç është harta dhe globi dhe si pasojë e mungesës së këtyre mjeteve, unë e kam ndjerë veten të mangët për zhvillimin e orës mësimore të plotë, siç do të kishte qenë me prezencë fizike”, shprehet ai. Zimeri shton se edhe notimi i nxënëseve nga distanca ka qenë i vështirë. “Testimin e nxënëseve e kam bërë përmes platformës digjitale ‘zoom’, ku kam ftuar një nga një nxënësit të shfaqen para kamerës dhe t’u përgjigjen pyetjeve nga lënda përkatëse. Megjithatë, kjo nuk është ajo që duhej”, tregon Zimeri. (koha.mk)