Pjesa dërmuese e nxënësve të mesëm – 71.238 nga gjithsej 71.458, zgjedhin ta mësojnë anglishten si gjuhë të parë të huaj, ashtu si edhe të gjithë filloristët pa përjashtim (192.448). E ardhmja nuk duket aspak fatlume për frëngjishten dhe rusishten. Në vitin shkollor 2017/2018 asnjë nxënës i shkollave të mesme nuk e kishte zgjedh rusishtes si gjuhë të parë të huaj, ndërsa frëngjishten vetëm 126 nxënës – edhe atë që para katër viteve
Laura PAPRANIKU
Shkup, 6 qershor – Mësimi i anglishtes në shkollat e Maqedonisë vazhdon të ruajë primatin e gjuhëve të huaja dhe paralelisht vite me radhë vërehet edhe një tendencë tjetër në rritje – ajo e mësimit të gjuhës gjermane. Si në shkollat e mesme ashtu edhe në shkollat nëntëvjeçare, nxënësit zgjedhin në masë më të madhe të mësojnë anglishten dhe pastaj gjermanishten, shkruan gazeta KOHA. Madje, gjatë këtij viti shkollor (2017/2018), në nivelin e shkollave fillore nuk është shënuar as edhe një rast tjetër i mësimit të ndonjë gjuhe tjetër të huaj (si gjuhë e parë) përpos anglishtes.
Gjuhët tjera janë alternativa për gjuhë të dytë të huaj dhe ku kryeson gjermanishtja. Në arsimin e mesëm, kjo ndarje nuk është si e “prerë me thikë”, pasi në kategorinë e gjuhës së parë, përveç anglishtes mësohen edhe gjuhë të tjera, por kuptohet në masë shumë të vogël krahasuar me anglishten.
Sipas të dhënave për vitin shkollor 2017/2018, i cili do të përfundojë këtë javë, të gjithë filloristët pa përjashtim, mësojnë anglishten si gjuhë të parë të huaj. Pra 192.448 nxënës, nga klasa e parë deri të nëntën, kanë zgjedhje të parë anglishten ashtu sikundër nuk ka asnjë nxënës që ta ketë anglishten gjuhë të dytë të huaj.
Në kategorinë e lëndëve, pra të gjuhës së dytë të huaj – më tepër e përfaqësuar është gjuha gjermane, pastaj gjuha frënge, ruse dhe ndonjë tjetër. Referuar të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, ndarja e nxënësve të shkollave fillore sipas mësimit të gjuhës së dytë të huaj është me sa vijon: 46.960 nxënës kanë zgjedhur mësimin e gjermanishtes, 36.033 frëngjishten, 649 rusishten dhe 407 ndonjë gjuhë tjetër të huaj edhe atë nga klasa IV deri IX, pasi në dy ciklet e para të arsimit nëntëvjeçar – gjuhë e dytë e huaj janë vetëm anglishtja dhe gjermanishtja. Në nivelin e arsimit të mesëm, mësimi i gjuhëve të huaja është i rregulluar në tre kategori edhe atë si gjuhë e parë e huaj e obligueshme, gjuhë e dytë e huaj e obligueshme dhe gjuhë e huaj fakultative (zgjedhore).
Në kategorinë e parë, sipas programeve mësimore, janë dhënë anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe rusishtja, kurse në kategorinë e dytë dhe të tretë të lëndëve, listës së gjuhëve u janë shtuar edhe italishtja, turqishtja dhe ndonjë gjuhë tjetër. Në këto dy kategori, anglishten e kanë zgjedhur ose shumë pak nxënës (198 si lëndë të dytë) ose nuk e kanë zgjedhur fare (si lëndë fakultative), pasi pjesa dërmuese e nxënësve 71.238 (nga gjithsej 71.458 nxënës të mesëm) e mësojnë anglishten si gjuhë të parë të huaj. E ardhmja nuk duket aspak fatlume për frëngjishten dhe rusishten. Kjo e fundit, veç më ka kaluar në histori.
ESSH raporton se në vitin shkollor 2017/2018 asnjë nxënës nuk e kishte zgjedh mësimin e rusishtes si lëndë e gjuhës së parë të huaj, ndërsa frëngjishten e kishin zgjedhur 126 nxënës edhe atë që para katër viteve. Në vitin e parë, të dytë dhe të tretë të shkollave të mesme asnjë nxënës nuk e ka frëngjishten gjuhë të parë të huaj. Ndryshe, ndodh me gjermanishten e cila për momentin mësohet si gjuhë e parë me nxënësit e të gjitha viteve të arsimit të mesëm (nga 94 nxënës në total).
Njëlloj si në shkollat fillore, edhe në nivelin e arsimit të mesëm gjermanishtja vjen si gjuhë e dytë e huaj më e kërkuar në Maqedoni. Konkretisht, nga viti i parë deri vitin e katërt 19.262 nxënës mësojnë gjermanisht, 17.004 frëngjisht, 896 turqisht, 838 italisht, 249 rusisht dhe 66 gjuhë të tjera. Te lista e lëndëve fakultative kryeson mësimi i italishtes me 494 nxënës. Edhe në këtë kategori, rusishtja është gjuhë më pak e kërkuar me vetëm 13 nxënës edhe atë që të gjithë viti i katërt. (koha.mk)