Për brezin tim lufta nuk ishte se ku përkasim, por sa shpejtë do të shkojmë atje ku qartësisht përkasim. E disa tentuan të risjellin dilemën, që për mua ishte dhe është e kryer. Perverse ishte dhe është të rrish në Mercedes e të flasësh për devenë. Kështu që ky moment votimi në referendum ka edhe këtë peshë, realizimin e një ideali, të cilin politika po e degjeneroi, por momenti megjithatë ka ardhur. Dhe sërish, kur e them këtë, dua t’ju kujtoj, t’ju them e t’ju bërtas: Jo, sagat me politikën, barazinë, të drejtat, përditshmërinë apo dhe me demokracinë nuk do të përfundojnë. Ky nuk është një moment dhe nuk duhet të ketë iluzion se kalimi i referendumit në fakt do mbyllë gjithçka.
Nga Nazim RASHIDI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kalojnë mbase periudhën më turbulente politike në kohët moderne me presidencën aktuale. Vetëm në pak ditë janë ngritur një varg akuza të reja serioze ndaj Presidentit Trump. Disa sondazhe tregojnë se presidenti ka rënie në mbështetje kurse një libër tjetër po lëkund opinionin. Libri nuk është i kujt do autori, por i gazetarit legjendar Bob Woodward, një nga dy gazetarët raportimet e të cilëve çuan në dorëheqjen e presidentit Nixson pas skandalit të përgjimeve të njohur si “Watergate”. Ky skandal ka hyrë në historinë politike e të gazetarisë, për atë se deri ku politika mund të shkojë në lojat e pista të saj, e në gazetari si raportimet shembull që mbrojnë lirinë e fjalës por dhe interesin e publikut, duke çuar deri tek rrëzimi i njeriut më të fuqishëm nga pushteti, siç është një president i SHBA-ve. I njëjti autor pra, sapo ka nxjerrë në treg librin “Fear: Trump in the White House”ose në përkthim “Frikë: Trump në shtëpinë e bardhë”.
Woodward, thotë se ka intervistuar me dhjetëra zyrtarë të lartë pjesë e administratës Trump, apo dhe ish zyrtarë të lartë që nuk punojnë më me presidentin duke nxjerrë fakte shqetësuese se si qeveriset vendi. Pa mos hyrë në detaje për librin arsyeja që e përmend këtë sekuencë dhe atë çka ngjet në politikën amerikane ka bërë që njerëzit të humbin besimin tek politika. Administrata dhe Presidenti hedhin poshtë gjithë këto akuza dhe argumentojnë se presidenti akuzohet me pa të drejtë. Ata gjithashtu thonë se ekonomia është më mirë se çdo herë tjetër, por sipas disa sondazheve mbështetja për presidencën është në rënie të madhe. Kjo ka rëndësi sepse në SHBA në nëntor do të zhvillohen zgjedhjet për kongresin dhe senatin që ndodhin mu në mes të mandatit të presidentit Trump. Dhe në një tablo të tillë, ku sidomos nga jashtë SHBA-ve, pamja nuk është aq lakmuese për politikën amerikane që shpesh merret si shembull i demokracisë, po përforcohen thirrjet për të dalë për të votuar. Në fakt zhgënjimi për politikën dhe nga politika nuk duhet të shndërrohet në një indiferentizëm, por përkundrazi një shtysë më shumë për votim. “Një palë zgjedhje nuk do i zgjidhin gjithë ato gjëra që duhet të zgjidhen. Por do të jetë fillimi. Dhe ti duhet ta fillosh. Ai që do rregullojë demokracinë tonë je ti. Nëse përfshihesh, nëse merr pjesë nëse troket nëpër dyer, nëse flet me shokët, nëse argumenton me anëtarët e familjes, nëse ndryshon mendjen e disave dhe voton. Atëherë diçka e fuqishme ndodh.Ndryshimi ndodh. Shpresa ndodh”. Këto janë fjalët e Presidentit Obama, në një fjalim vetëm pak ditë më parë. Në të njëjtin fjalim ai do të thoshte se “kërcënimi më i madh i demokracisë është cinizmi” dhe se çdo votë ka rëndësi. “Mos më thoni se vota juaj nuk vlen. Unë fitova në zgjedhjet presidenciale për shkak të, pesë, dhjetë, njëzetë votave” në qendra votimi, thotë presidenti Obama. Qëllimi i tij është që të nxisë njerëzit të dalin e të votojnë. Sigurisht ai synon që njerëzit të votojnë demokratët, partinë e tij, por njëkohësisht thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në proces. Në Maqedoni kemi gjithashtu një proces votimi: Referendumi për emrin. Por, çdo bëhet? Çdo bëjnë njerëzit? Është evident zhgënjimi ndaj klasës politike edhe këtu. Dhe me të drejtë. Por, në kontekst të Maqedonisë si duhet parë ky moment, historik por dhe pikë kthese fondamentale për këtë shtet të vogël ballkanik? Nëse dëgjon partitë shqiptare, nuk ka dyshim se do mbështetet referendumi. Por, a mjafton kjo? Zhgënjimi që kanë njerëzit vjen nga fakti se politika ka gojën plot Evropë kurse veprimet e tyre nuk kanë as “E” nga Evropa. Kërkesat e përditshmërisë janë bazike: rrugë, ujë, punë, libra, shkolla. Çështje që me vite do të duhej të ishin zgjidhur. Por nuk janë. Dhe kur politika, e gjithë klasa, bën thirrje për votime, përballur me këtë zhgënjim, ajo që mund të ndodhë, është indiferenca për inat të saj. Mos dalje për ta ndëshkuar atë. Por ky moment nuk ka vend për cinizëm siç thotë dhe Presidenti Obama. Këto votime nuk kanë lidhje se kë mbështesni si parti, por ka lidhje me një shkëputje thelbësore nga një e kaluar, mendësi dhe ideologji të cilën shqiptarët e kanë kërkuar me vite. Kjo kërkesë është në unison edhe me prirjet dhe tendencat ku do të përkasë edhe gjithë rajoni, shqiptarët e tjerë. Zemërimi ndaj partive dhe klasës politike nuk do duhet të sjellë zhgënjim që do ta bllokojë këtë aspiratë, që do ta bllokojë të ardhmen e fëmijëve, që do të ngrejë edhe një herë mure ndarëse mes rajonit, mes nesh. Përgjegjësia këtu është se iritimi ndaj politikës nuk do duhet të sjellë mbyllje sysh për perspektivën dhe fillimin e kalimit në shtete ku funksionojnë ligjet e shoqëria me vlera të tjera. Por kur e them këtë, nuk është qëllimi të tingëlloj patetik. Për mua dhe një brez të tërë s’ka pasur asnjëherë dilemë se dielli jonë është në perëndim si vlerë dhe aspiratë e brezave para nesh, të cilën stafetë ne veç duhej ta çojmë edhe më përpara. Prandaj dhe ka zemërim tek ca lajthitje që u shfaqën e që tentuan për një kohë të shkurtër të drejtojnë njerëzit drejt kahjeve të tjera. Nuk ishte se ata do të fitonin, se s’ka se si. Por habia ishte se si morën guximin, apo dhe si ka mundësi që edhe mendojnë të kundërtën. E kjo po ishte dhe është shokuese.
Për brezin tim lufta nuk ishte se ku përkasim, por sa shpejt do të shkojmë atje ku qartësisht përkasim. E këta tentuan të risjellin dilemën, që për mua ishte dhe është e kryer. Perverse ishte dhe është të rrish në Mercedes e të flasësh për devenë. Kështu që ky moment votimi në referendum ka edhe këtë peshë, realizimin e një ideali, të cilin politika, po, e degjeneroi, por momenti megjithatë ka ardhur. Dhe sërish, kur e them këtë, dua t’ju kujtoj, t’ju them e t’ju bërtas: Jo, sagat me politikën, barazinë, të drejtat, përditshmërinë, apo dhe me demokracinë nuk do të përfundojnë. Ky nuk është një moment dhe nuk duhet të ketë iluzion se kalimi i referendumit në fakt do mbyllë gjithçka. Përplasjet e të gjitha llojeve do të vazhdojnë, mes politikës, mesh shqiptarësh e maqedonasish, mes vete, mes mendimesh, por në një fushë pak më stabile e me shpresë në një vend me më shumë normalitet. Kaq është e tëra. Dhe ja leksioni sërish vjen nga demokracia shembull, ajo amerikane. Kujdesi për funksionim siç duhet, për respektim të ligjeve, për prosperitet duhet të jetë i vazhdueshëm. Duhej të ndodhte Trump, që kjo të rikujtohej atje. Kështu duhet parë dhe referendumi, duhet kaluar sepse sjell shprese për mirëqenie e stabilitet, por nuk duhet të sjellë gjumë, sepse betejat për jetë më të mirë, për barazi dhe po edhe për demokraci të mirëfilltë nuk do ndalen kurrë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)