MËSIME NGA HEGELI: Pjesët më të rëndësishme të vetes sonë, mund t’i gjejmë në …histori

Georg Vilhelm Friedrich Hegel lindi në Shtutgart më 1770. I përkiste klasës së mesme, dhe ishte i fiksuar pas rrugës së karrierës. Hegeli ishte fillimisht një redaktor gazete dhe pastaj drejtor shkolle, përpara se të bëhej profesor dhe akademik. Hegeli arriti të ngjitet në “pemën akademike” duke mbërritur në majë të saj - President i Universitetit të Berlinit - në vitin 1830. Një vit më vonë, ndërroi jetë

61

Hegeli ka patur një influencë të tmerrshme mbi filozofinë. Ai shkruan në mënyrë konfuze dhe të komplikuar, atëherë kur duhet të jetë i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ai kërkonte që të shfrytëzonte një dobësi të natyrës njerëzore: që u beson më shumë prozave të pakuptueshme, që tingëllojnë si “të rënda”. Hegeli bëri të duket, sikur shenja e mendimit të thellë, është që njeriu nuk arrin ta kuptojë atë që po ndodh. Kjo e ka bërë filozofinë më të dobët në botë, nga sa duhet të jetë. Dhe bota ka paguar një çmim edhe më të madh për problemet e Hegelit me komunikimin. Ka bërë shumë më të vështirë që të dëgjojmë gjërat e vyera që ai ka për të na thënë. Mes të cilave, spikasin disa mësime për jetën:

PJESË TË RËNDËSISHME TONAT MUND TË GJENDEN NË HISTORI

Hegeli ishte ndër të rrallët filozofë që e merrnin historinë shumë seriozisht. Në kohën e tij, një mënyrë standarde evropiane e të parit të të kaluarës, ishte që ta konsideroje atë si “primitive” – dhe të ndiheshe krenar se sa shumë përparim ishte bërë në epokën moderne. Por Hegeli preferonte të besonte se çdo epokë mund të shihet si një depozitë, e një lloji të veçantë të dijes. Ajo do të shfaqë, me qartësi të rrallë, disa qëndrime dhe ide shumë të dobishme, të cilat fundosen, humbasin disponueshmërinë ose ngatërrohen në periudhat e mëvonshme. Ne kemi nevojë që të shkojmë pas në kohë, për t’i shpëtuar gjëra, të cilat janë zhdukur edhe në të ashtuquajturën epokë e përparuar. Kështu, për shembull, ne mund të kemi nevojë të “gërmojmë” historinë e Greqisë së lashtë, për të kuptuar plotësisht idenë e asaj që mund të jetë komuniteti; Mesjeta mund të na mësojë – si asnjë epokë tjetër – për rolin e nderit; një vizion frymëzues se si, paraja mund të paguajë për artin, gjendet në Firencen e shekullit të 14-të, edhe pse kjo periudhë mbart qëndrime të tmerrshme ndaj fëmijëve dhe ndaj të drejtave të grave. Progresi nuk është asnjëherë linear. Ka urtësi në çdo fazë – gjë që na shpie, tek detyra e historianit: të shpëtojë ato ide që janë më të nevojshme, për të ekuilibruar pikat e verbra të së tashmes.

MËSONI NGA IDETË QË NUK JU PËLQEJNË

Hegeli besonte shumë në të mësuarit nga armiqtë (intelektualë). Kjo, sepse ai besonte që copëza të të vërtetës ka të ngjarë të jenë të shpërndara edhe në vende jo shumë tërheqëse – dhe se duhet t’i gjejmë, duke pyetur gjithmonë: “Cila copëz e ndjenjës dhe e arsyes mund të ndodhet në brendësi të fenomeneve, që përndryshe na duken të frikshëm, apo të huaj”? Nacionalizmi, për shembull, ka patur shumë manifestime të tmerrshme (edhe në kohën e Hegelit). Kështu që, tundimi i njerëzve që mendojnë, është të heqin fare dorë në këtë fushë. Por Hegeli pyeste, se cila ide apo nevojë e rëndësishme mund të fshihet brenda historisë së përgjakshme të nacionalizmit? Një nevojë që pret të njihet dhe interpretohet? Ai propozonte se është nevoja e njerëzve për t’u ndjerë krenarë për prejardhjen e tyre, për t’u identifikuar me diçka që shkonte përtej arritjeve të tyre, për të “ankoruar” identitetet e tyre, përtej egos. Kjo është një kërkesë e pashmangshme dhe e frutshme, sugjeronte Hegeli, diçka që mbetet e vlefshme edhe në ato kohë, kur lëvizje apo politikanë të tmerrshëm, e kanë shfrytëzuar këtë nevojë dhe e kanë shpënë në drejtime katastrofike. Hegeli është një hero i mendimit, se ide me të vërtetë të rëndësishme, mund të jenë në duart e njerëzve, që ju i konsideroni të pavlerë.

PROGRESI ËSHTË I RRËMUJSHËM

Hegeli besonte se bota ecën përpara, por vetëm duke u endur nga një ekstrem në tjetrin, pasi përpiqet që të kompensojë (me tepri) një gabim të mëparshëm. Ai propozonte se zakonisht duhen tre lëvizje, përpara se ekuilibri i duhur për një problem të mund të gjendet, një proces që ai e quajti “dialektika”. Në kohën e tij, ai thoshte se qeveritë janë përmirësuar, por aspak në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sistemi plot të meta, i padrejtë i shekullit 18, i monarkisë së trashëgueshme ishte shfuqizuar prej Revolucionit Francez – etërit themelues të të cilit, donin që t’i jepnin zë shumicës së popullit.

Por ajo që duhej të kish qenë lindja paqësore e qeverisë përfaqësuese, kish përfunduar në anarshinë dhe kaosin e Terrorit. Dhe kjo solli ngjitjen e Napoleonit, i cili kish rikthyer rendin dhe garantuar shanse për talentin dhe aftësitë – por edhe ai e kish tepruar dhe ish shndërruar në një tiran ushtarak, që kish trembur pjesën tjetër të Evropës, si dhe kish shtypur lirinë, që dikur thoshte se e donte. Me kalimin e kohës u shfaq “kushtetuta moderne e ekuilibruar”, një marrëveshje kjo, e cila në mënyrë më të arsyeshme, balancoi përfaqësimin popullor dhe të drejtat e pakicave, si dhe një autoritet të centralizuar. Por deri në këtë zgjidhje kishin kaluar të paktën 40 vite, si dhe ishin derdhur lumenj gjaku. Në kohën tonë, mendoni për rrugën e avashtë drejt qasjes së arsyeshme kundrejt seksit. Viktorianët kishin imponuar shumë shtypje. Megjithatë, dekada e 1960 mund të konsiderohet shumë liberale. Ndoshta me ardhjen e 2020, ne mund të gjejmë ekuilibrin e duhur mes dy ekstremeve. Hegeli na i heq një pjesë të barrës nga shpina, kur këmbëngul se progresi do të jetë gjithmonë i ngadaltë dhe i trazuar. Ai shton se, ajo që ndodh në histori, do u ndodhë edhe individëve. Edhe ne mësojmë ngadalë dhe me korrigjime të mëdha. Mendoni pak zhvillimin e jetëve tona emocionale. Në të njëzetat mund të kemi qenë me dikë kaq të fortë emocionalisht, saqë jemi ndjerë të mbytur; pas kësaj u liruam dhe u lidhëm me dikë më të ftohtë e të rezervuar; por me kalimin e kohës edhe këtë mund të jenë bërë shtypës me distancën që mbajnë. Ndoshta do na duhet të mbërrijmë 52 vjeç, për të ekuilibruar këtë aspekt.

Kjo mund të duket si një humbje kohe e tmerrshme. Por Hegeli këmbëngul se kalimi i dhimbshëm nga një gabim në tjetrin është i pashmangshëm, diçka që duhet ta parashikojmë kur bëjmë plane për jetët tona, apo kur ankohemi për rrëmujën në librat e historisë, apo në lajmet e mbrëmjes.

ARTI KA NJË QËLLIM

Hegeli hedh poshtë idenë që “arti është për hir të artit”. Piktura, muzika, arkitektura, letërsia dhe projektimi të gjitha kanë një punë të madhe për të bërë. Ne na duhen, me qëllim që vështrime të rëndësishme të bëhen të dobishme në jetët tona. Arti është “prezantimi shqisor i ideve”. Thjeshtë njohja me një fakt na lë indiferentë. Në teori ne besojmë se konflikti në Siri është i rëndësishëm; në praktikë thjeshtë fikim televizorin. Në parime dimë që duhet t’i falim partnerët. Por kjo bindje abstrakte harrohet që me provokimin më të parë. Qëllimi i artit, thotë Hegeli, nuk është aq shumë për të dalë me ide të reja dhe mrekulluese; por për t’i bërë mendimet e mirë, të rëndësishëm, të urtë që shpesh herë ne i dimë tashmë, që të nguliten në mendjet tona.

KEMI NEVOJË PËR INSTITUCIONE TË REJA

Hegeli kishte një pikëpamje shumë pozitive për institucionet dhe pushtetin që ata mund të kenë mbi ne. Mendimi i një individi mund të jetë i thellë. Por ai do të jetë joefikas nëse nuk mishërohet në një institucion. Idetë e Jezusit për vuajtjen dhe dhembshurinë kishin nevojë për Kishën Katolike që t’i përcilleshin botës. Idetë e Frojdit për kompleksitetin e fëmijërisë nuk u shndërruan në një forcë vërtetë konstruktive, deri kur u organizuan, u shtrinë dhe institucionalizuan në Klinikën Tavistok në Londër. Pra, që idetë të jenë efikase në botë, nevojitet shumë më tepër se sa thjesht të jenë korrekte. Këtu këmbëngulte Hegeli. Që një ide të jetë e rëndësishme në një shoqëri, ajo ka nevojë për punonjës dhe ndërtesa, programe trajnimi dhe këshilltarë ligjorë. Institucionet mundësojnë hapësirën kohore që kërkojnë projektet e mëdha – shumë më tepër se sa pjekuria e një individi. Funksioni thelbësor i një institucioni është të bëjë të vërtetat e mëdha të fuqishme për shoqërinë. E sigurt është që Hegeli vuri gishtin në një tipar të rëndësishëm të jetës moderne: ne duam shumë progresin dhe përmirësimin, e megjithatë vazhdimisht përballemi me konflikt dhe sprapsje. Mendimi i tij ishte se rritja kërkon përplasje e ideve divergjente, e si pasojë do të jetë e dhimbshme dhe e ngadaltë. Por të paktën, një herë që e mësojmë këtë, nuk kemi pse i futim telashet tona në kategorinë “anormale”. Hegeli na jep një pamje më të saktë, e si pasojë më të menaxhueshme, të vetes sonë, të vështirësive tona dhe të vendit që kemi në histori. (Philisophy Today)

Comments are closed.