Mesazhi im është ky: nuk ka metodë a qasje universale për mësimdhënie cilësore ashtu siç nuk ka asnjë faktor apo shkak universal për dështim. Mësuesi duhet të jetë i moderuar, bashkëkohor, proaktiv dhe produktiv për të realizuar mësimdhënie aktive duke përfshirë elementet parësore që kanë të bëjnë me individualizimin e procesit të njohjes mësimore, por gjithnjë i matur, sepse teprimi është kundër natyrës së nxënësit
Nga Xheladin MURATI
Të kontribuosh në një nga shtyllat kryesore të arsimit si është mësimdhënia do të thotë të investosh në jetën dhe përparimin e secilit mësues dhe nxënës. Ajo çfarë mësojmë sot, reflektohet nesër. Mësimdhënia është forcë e madhe që mund ta ndryshojë nxënësin. Strategjinë që zbaton mësuesi gjatë mësimdhënies është ajo që e motivon mësuesin të bëjnë dallimin mes asaj që është e mirë për suksesin dhe cilësinë dhe asaj që nuk është. Në fakt, strategjia e mësimdhënies është elementi që e shtyn përpara ose e pengon progresin e punës mësimore. Mësimdhënia transformuese është një aset i rëndësishëm i proceseve transformuese të dijeve. Transformimi i mësimdhënies është një mundësi e artë për të përfituar dhe investuar në karrierën profesionale të mësuesit.
PREMISAT
- Rendisni disa synime realiste mësimore që mendoni ti realizoni me nxënësit.
- Vendos objektiva dhe bëni një plan për t’i përmbushur objektivat në punën me nxënës.
- Planifikoni transformimin e mësimdhënies, mos harroni , trajtojeni atë me respekt.
- Vetëm mësimdhënia e transformuar mundëson depërtim të mirëfilltë në karrierë dhe në thellësinë e cilësisë së dijeve.
- Mendoni për disa trajtime të veçanta për nxënësin dhe procesin e nxënies në mënyrë që të arrini cilësi në mësimdhënie.
QASJET DHE ASPEKTET
Metodologjia e mësimdhënies mbështetet në të nxënit përmes përvojës. Teoria është e rëndësishme për të transmetuar përvojën në cilësinë e mësimdhënies. Dhe këtu mësuesi gjendet para tre problemeve me interes:
– Dëshiron të përfitoj shkathtësi të reja në mësimdhënie.
– I pëlqejnë trajnimet praktike e efikase dhe jo ligjërimet.
– Ka interesi për përdorim të metodave interesante në klasë.
Këto janë një çështje e zgjedhjes personale, por nuk duhet të harrojmë se cili është qëllimi që duam të arrijmë në mësimdhënie, pavarësisht nëse jemi të përgatitur ose jo për sfidat në mësim. Ato me të cilat mund të operojmë sigurisht janë metodat, qasjet, parimet, mjetet, por nga aspekte të ndryshme. Duhet bërë një kombinim i mire. Por gjëja më e rëndësishme është qasja individuale. Ka shumë metoda që mund të aplikohen, por më të rëndësishmet janë:
– vlerësimi i nxënësit,
– kapaciteti i tyre punues dhe intelektual,
– nevojat dhe dëshirat e tyre, dhe
– rezultati i pritur.
Gjëja më e rëndësishme është llogaritja e sasisë së diturive, informacioneve që duhet t’i ofrojmë nxënësit në orën mësimore dhe njohja e aktivitetit të tyre mental. Mendimi im është se duhet të jemi të moderuar në çdo gjë kurse procesi i mësimdhënies të jetë proces interaktiv. Mësimdhënia është një proces më specifik, sepse ajo ngërthen shumë detaje dhe kërkon vëmendje e punë më të madhe profesionale, nëse duam të kemi një produkt final cilësor. Procesi i edukimit dhe arsimimit duhet të mbështete në te elemente: pavarësi, vetëbesim dhe mbështetje në vetveten. Pavarësia në mësimdhënie dhe mësimnxënie gjatë orës mësimore nënkupton se mësuesi duhet të ketë parasysh këto elemente: më pak rregulla, nxënësi të ketë zë, të drejtë, të punon pa presion dhe të jetë i pavarur, por mësuesi të dirigjon. Procesi i mësimdhënies do të jetë efikas nëse mësuesi e studion mire nxënësin se çfarë duan të dine. Për këtë qëllim, duhet ta njihni mirë nxënësin për sa i përket ritmit të tij të përditshëm dhe sasisë së marrjes së diturive, informacioneve dhe stilit të jetës që ka. Në këtë kontekst mbështeteni në këto elemente:
– keni parasysh dëshirat e nxënësve,
– konstatoni çfarë duan të mësojnë e të përfitojnë nga mësimi dhe
– zbuloni se çfarë presin nga ju.
Bashkëpunimi mësues – nxënës në mësimdhënie është elementi që e rrit cilësinë dh efikasitetin proaktiv. Nëse është e nevojshme, do të zbatoni teste apo prova shtesë në bazë të të cilave do të krijoni një rekomandim apo vlerësim të merituar. Marrja parasysh e këtyre tre elementeve i mundëson mësuesit supozimet vijuese:
– krijon parashikim për mësimdhënie,
– ndërton strategjinë e punës dhe
– projekton pritshmëritë.
I tërë procesi i mësimdhënies të kombinohet me:
– të parët (vizualiteti),
– të dëgjuarit (audio) dhe
– praktike (të punosh, të mësosh duke punuar).
Pra puna më efikase mësimore është kur nxënësit shikojnë, dëgjojnë dhe veprojnë. Zhvillimi dhe arritjet e nxënësve duhet të personalizohen dhe periodizohen në mënyrë që të ketë një rezultat të mirë dhe duhet të pasohet nga asistenca e duhur metodike e mësuesit. Nuk është e njëjta gjë nëse mësuesi ka para nxënës intelektualisht të shëndetshëm dhe një apo disa nxënës që reflektojnë prapambetje, të cilët kanë nevojë për qasje shtesë. Për këtë arsye mësuesi ka nevojë për njohuri specifike në fushën e pedagogjisë integruese me fokus më të madh tek mikroproceset didaktike dhe aktivitete intelektuale shtesë (gnoseologjike, aksiologjike, demijurgjike, komunikuese) Arsimimi nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, ndaj krahas formimit profesional në fushën praktike mësimore mësuesi ka nevojë për arsimim të avancuar apo special për të realizuar finesat mësimore. Mësuesi është ai që vendos vet, se si të pozicionohet dhe ti rregulloj raportet me nxënësit gjatë aktiviteteve mësimore dhe realizimit të procesit të njohjes mësimor, poashtu në bazë të strategjisë së përcaktuar.
Në këtë drejtim, kuptohet se mësuesin e presin sfida e probleme të shumta sa metodike, didaktike po aq edhe metodologjike. Në këtë kontekst, në të dyja rastet, mësuesi ka opsion, vizion dhe taktikë të veprimit. Aktivitetet mësimore me nxënësit janë procese që kanë një qëllim të ditur, ndërkaq strategjia dallon nga mënyra dhe qëllimi, mbase kjo e dyta e bënë ndryshimin që çon drejt një riorientimi të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ndikimi i fuqishëm i rezultateve mësimore në mësimdhënie krijon hapësirë për bashkëkohësim të procesit mësimor, metodologjive të mësimdhënies, të planifikimit dhe programimit, procesit të vlerësimit e të ngjashme. Thjesht transformimi bënë nxitjen e sjelljes kreative të mësuesit në organizimin e mësimit. Duke marrë parasysh ndryshimet e vazhdueshme globale pedagogjike, mësimi i vazhdueshëm dhe kureshtja për mësimdhënie cilësore janë elemente kyçe për transformim të mësimdhënies. Në fakt, të qenët i udhëhequr nga kureshtja është shumë më e rëndësishme sepse kontribuon në zbatimin e risive dhe nxitjen e qasjeve ndryshe, qasjeve atraktive në punën me nxënës. Mësimdhënia transformuese kontribuon në hapjen e mundësive për zhvillim dhe inovim të procesit mësimor, mësimdhënies dhe mësimnxënies.
PËRFUNDIM
Mesazhi im është ky: nuk ka metodë a qasje universale për mësimdhënie cilësore ashtu siç nuk ka asnjë faktor apo shkak universal për dështim. Mësuesi duhet të jetë i moderuar, bashkëkohor, proaktiv dhe produktiv për të realizuar mësimdhënie aktive duke përfshirë elementet parësore që kanë të bëjnë me individualizimin e procesit të njohjes mësimore, por gjithnjë i matur, sepse teprimi është kundër natyrës së nxënësit. Tendenca për të ndërhyrë në botën e nxënësve dhe në brendësinë e mësimdhënies, e veçanërisht në stilin e të mësuarit duke zbatuar pikërisht detaje për transformimin e mësimdhënies dhe ngritjen e cilësisë së saj nga aspekti didaktikor, konsiderohen si faktor esencial i menaxhimit të suksesshëm për transformimin e procesit të njohjes mësimore e shkencore. Ndërtimi i mësimdhënies mbi baza objektive didaktike ndihmon për të zhvilluar te nxënësit karakterin, mendimin dhe intelektin e tij. (koha.mk)