Një rritje më e shpejtë nuk mund të ndodh brenda natës, por së paku të krijojmë kushte më të mira në gjysmën vjetorin e dytë të 2021-ës, të fillojnë të realizohen ciklet më të fuqishme investuese tre mujore apo gjashtë mujore që për një kohë afatmesme dhe afatgjatë do të sjellin përfitime për të gjithë
Nga Fisnik PASHOLLI
Si duket pandemia do të zgjasë edhe në vitin e ardhshëm, me një ngadalësim së paku deri në muajin mars të vitit 2021. Në rastin më të mirë të mundshëm, vaksinimi i paralajmëruar në janar dhe shkurt, pritet që të ulë shtrirjen e saj dhe të ulë numrin e pacientëve në nivele që mund ti përballojë sistemi shëndetësor.
Përkundër dhe përskaj telasheve, problemeve dhe vështirësive të panumërta që ka shkaktuar ajo, të funksionimit të shtetit dhe shoqërisë megjithatë jeta vazhdon dhe patjetër se duhet të vazhdojë edhe nën kushte dhe masa të reja shtrënguese dhe kufizuese. Nëse shtetet e begatshme dhe me financa të bollshme, traditë të gjatë të demokracisë, periudhave që maten edhe me dekada të mospasjes së problemeve më të mëdha në funksionimin e tyre, dhe mbi të gjitha me një vazhdimësi në zhvillimin e tyre ekonomik-social, politik, shoqëror etj kanë vështirë si të mëdha të menaxhojnë këtë sëmundje virale, çka mbetet të thotë Ballkani perëndimor me telashe nga më të ndryshmet, me ecejake dhe nivele të ndryshme të rrugës së anëtarësimit euroatlantik dhe plotësimit të kritereve dhe kushteve që kërkohen për anëtarësimin në familjen e madhe evropiane.
Çka të thotë Ballkani që ka pas vetes një 30 vjetor përplot me sfida, probleme, kriza që janë zgjidhur dhe do të zgjidhen edhe me ndërmjetësimin dhe mbështetjen serioze dhe përmbajtësore të miqve tanë perëndimor. Në rajon, tani po dalin në sipërfaqe që nga Kroacia si anëtare e BE-së dhe NATO-s, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnje e Hercegovina, Mali i zi dhe Serbia edhe dobësitë e përbashkëta siç janë mos investimi me dekada në spitale, vartësia nga një degë e caktuar ekonomike sikur turizmi në Shqipëri, Kroaci apo Mal të Zi, “rebelimi” në një farë mënyre apo mos respektimi sa duhet i popullatës ndaj rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore,apo mosrespektimi i mjaftueshëm i masave për të luftuar pandeminë. Në Kroaci edhe pas më shumë se 30 vitesh një klinike moderne e nisur të ndërtohet para viteve 90-të në Zagreb ka mbetur vetëm karabina , në Maqedoninë e Veriut akoma nuk kemi në mos ndërtimin e një klinike moderne, së paku modernizimin në përgjithësi të kompleksit të klinikave në Shkup, në Kosovë ndoshta kanë ndërtuar rrugë moderne, por nuk ekziston as një klinikë private moderne si ato në Shkup andaj pacientët rendin në spitalet private në Shkup, ndërsa edhe modernizimi i spitaleve ekzistuese në Kosovë lë për të dëshiruar. Në Shqipëri kemi sfida të mëdha të sistemit shëndetësor ku një tampon për Covid-19 kushton bile 100 euro në raport me 50 euro në Maqedoninë e Veriut, ndërsa opozita po del me dyshime për partneritetin privat publik në shëndetësi.
Në tërë rajonin po vërehet edhe vartësia e madhe nga remitancat apo të hollat që dërgojnë mërgimtarët në vendlindje që nënkuptojnë jo vetëm frymëmarrje për ekonominë në tërësi, por edhe për bizneset e vogla në rrafsh lokal. Po vërehet edhe potenciali, por jo edhe realizimi më i madh i përdorimit të teknologjisë informatike në lehtësimin e jetesës së qytetarëve, si dhe humbja kohë e bizneseve që edhe për një vërtetim do të enden për disa ditë nëpër sportele. Në pah po dalin edhe mos zbatimi sa duhet dhe si duhet i reformave të ndryshme që do të sjellin më shumë punë sime, investime dhe fabrika të reja. Akoma për rajonin mbetet sfidë e vështirë, por jo edhe e pa arritshme që ekonomia të fillojë të lëvizë më shpejt përpara. Periudha e ardhshme do të duhej të sjellë një dritë në fund të tunelit, dhe një hapësirë më shpresëdhënëse për rritje më të madhe ekonomike nga e cila do të përfitojnë shtresa më të mëdha të popullatës, një guxim më të madh të kompanive vendore të dalin në tregjet e jashtme dhe të mos kënaqen me tregun vendor si faktor kryesor të fuqizimit të një ekonomie të vogël si kjo e jona.
Një rritje më e shpejtë nuk mund të ndodh brenda natës, por së paku të krijojmë kushte më të mira në gjysmën vjetorin e dytë të 2021-ës, të fillojnë të realizohen ciklet më të fuqishme investuese tre mujore apo gjashtë mujore që për një kohë afatmesme dhe afatgjatë do të sjellin përfitime për të gjithë. Mbetet të shohim se sa në vitin e ardhshëm dhe në vitet në vijim do të kemi realizim me 100 për qind të investimeve kapitale, rritjen e efikasitetit të administratës dhe gjyqësorit, menaxhimin më të mirë të ndërmarrjeve publike, rritjen e cilësisë së fuqisë punëtore që kërkohet në tregun e punës, rritjen e cilësisë së sistemit arsimor nga cikli më i ulët, i mesëm dhe deri tek ai i lartë, mos ndryshimit të shpeshtë të ligjeve, vendosjen në binarë dhe zvogëlimin e ekonomisë informale ku një pjesë e biznesit të vogël nuk do ti shpaguhet të punojë në të zezë, ndërsa një pjesë e biznesit të madh as nuk do të mendojë ti ikë obligimeve dhe detyrimeve ndaj shtetit.