“Sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, lënda e mësim-besimit fetar mbetet lëndë zgjedhore dhe varësisht nga interesi i nxënësve në secilën shkollë dhe drejtuesve të shkollës, ndërsa materiali mësimor mund të zgjidhet dhe zbatohet sipas dëshirës së tyre”, deklarojnë nga MASH
Zenel MIFTARI
Shkup, 3 mars – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) përmes një deklarate për gazetën KOHA ka qartësuar shqetësimin e bashkësive fetar, të cilët ditë më parë ngritën shqetësimin mbi ndryshimet dhe reformat në arsimin fillor, respektivisht mundësinë e heqjes së lëndës së mësim-besimit fetar nga Koncepti i ri për arsim. Nga MASH-i kanë deklaruar se Koncepti i ri për arsimin fillor, nuk parasheh asnjë ndryshim në lëndën e mësim-besimit fetar. “Sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, lënda e mësim-besimit fetar mbetet lëndë zgjedhore dhe varësisht nga interesi i nxënësve në secilën shkollë dhe drejtuesve të shkollës, ndërsa materiali mësimor mund të zgjidhet dhe zbatohet sipas dëshirës së tyre”, deklarojnë nga MASH.
Nga ana tjetër, ditë më parë në takimin e Ipeshkvijve, anëtarët e Sinodit të KOM-it, kanë kërkuar sqarim nga MASH-i se si do të mësohet mësim-besimi fetar me Konceptin e ri për arsimin fillor. Ata ngritën shqetësimin dhe kërkuan nga MASH që të mos bashkojë lëndën e mësim-besimit fetar në një lëndë tjetër apo edhe të ndryshohet materiali mësimor i saj. Shqetësime patën ngritur edhe nga Bashkësia Islame e Maqedonisë.
Ndryshe, Koncepti i ri për arsim fillor parashikon bashkimin e lëndëve Histori me Gjeografinë dhe Edukimin Qytetar, si dhe Biologjinë me Fizikën dhe Kiminë. Në vend të këtyre lëndëve, do të kemi Shkencat Shoqërore dhe ato Natyrore. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, këmbëngulë se Koncepti i reformës bazohet në multikulturën, në barazinë gjinore dhe në përfshirjen e të gjithë faktorëve në vend për të siguruar një sistem sa më efikas mësimor në vendin tonë. Ajo ka thënë se reformës apo propozim-ligjit i kanë paraprirë konsultime të gjera me faktorë të ndryshëm në vend, përfshirë edhe shoqata të ndryshme, të cilat, në debatet publike kanë mbështetur propozimin e ministrisë.
Ndërsa në anën tjetër, numri më i madh i njohësve të çështjeve arsimore, sindikatave dhe aktoreve të tjerë në Arsim, publikisht kanë kundërshtuar zëshëm Konceptin e ri për Arsimin fillor të Carovskës. Për më tepër, profesorët universitar, shprehen zëshëm, duke thënë se bashkimi i lëndëve është hap i përshpejtuar nga institucionet arsimore, sepse nisma të këtilla sipas tyre nuk dhënë aspak rezultate pozitive viteve të kaluara. Në ndërkohë, vazhdon të kundërshtohet edhe statusi i gjuhës shqipe në këtë Koncept. Shqipja për nxënësit joshqiptarë do të jetë lëndë zgjedhor dhe e jo e detyrueshme, ndërsa renditet në grafën “gjuhë të tjera” së bashku me anglishten, serbishten, gjermanishten… (koha.mk)