Meshkujt shtatzënë? Jo më thjesht mit…

Për shkak të zhvillimeve në lidhje me transplantin e mitrës nuk do të jetë e largët dita kur do të shohim meshkuj shtatzënë. Sipas ekspertëve të fertilitetit, transplanti i mitrës deri më tani ka qenë i suksesshëm te femrat dhe kjo shtron rrugën që një operacion i tillë të kryhet edhe te meshkujt. Doktori Richard Paulsen tha se mitrat janë transplantuar te femrat që janë lindur pa të, pra ‘femrat trans’- njerëz që janë biologjikisht të lindur meshkuj, por që kanë ndërmarrë operacion për të ndërruar gjininë. Kjo do t’i lejojë ata që të mbajnë një fëmijë dhe sipas tij nuk ka një arsye shkencore që kjo mos të ndodhë. ‘Është një procedurë e komplikuar. Është një punë e madhe, nuk është diçka që dikush mund ta bëjë në një spital të thjeshtë dhe të ikë prej aty’, tha Paulsen për të përditshmen britanike “DailyMail”.

Paulsen shpjegoi se problemi i vetëm është se meshkujt e kanë legenin e ngushtë dhe nuk lejon fëmijën të kalojë, kështu që meshkujt duhet të lindin me ndërhyrje çezariane. Sipas ekspertëve ka hapësirë që në brendësi të një mashkulli të rritet një fetus për 9 muaj. Mund të jetë e nevojshme që këtyre personave t’u jepen hormone që të përsëriten ndryshimet që ndodhin si të ishte një femër shtatzënë. Duhet që të gjendet një mitër nga një dhurues i gjallë ose edhe i vdekur. Operacioni për ngjitjen e mitrës është shumë i komplikuar dhe mund të zgjasë deri në 10 orë. Sapo mitra është transplantuar është e nevojshme të ngjitet një embrion me fekondim in vitro. Rasti i parë i një lindjeje të tillë është shënuar në vitin 2014 në Suedi.