Shkup, 12 maj – Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu me rastin e festës së Fitër Bajramit ka dhënë mesazhin e tij drejtuar besimtarëve duke theksuar rëndësinë e kësaj feste dhe duke nënvizuar se bëhet fjalë për një simbol të kryerjes së amanetit të besuar nga Zoti.
Ky Ramazan i bekuar, siç thekson ai,” ishte bashkë me ne në momentet më të vështira që solli sëmundja e rrezikshme Kovid-19 dhe bashkëjetoi me ne gjatë tërë ditëve të agjërimit”.
“Kjo bëri që të jetë një vlerë edhe më e madhe për besimtarin, sepse ne bëmë një luftë të dyfishtë, ajo kundër shejtanit të mallkuar dhe tjetra në përpjekjet tona për të dhënë kontribut në zbehjen dhe evitimin e prekjes nga virusi. Andaj, sot po i drejtohemi të Madhit Zot me lutje të pranojë agjërimin tonë, ibadetet tona, duatë tona, lëmoshat tona, të gëzojë zemrat e të gjithë njerëzve anembanë globit, t’i shpëtojë dhe t’i ngritë të dobëtit, t’i pajtojë zemrat e njerëzve me qëllim për të jetuar në paqe e harmoni, t’i shërojë zemrat dhe plagët e familjeve të viktimave që solli sëmundja e rrezikshme dhe të forcojë unitetin tonë për të mirën e familjeve tona, popullit tonë dhe gjithë gjinisë njerëzore”, thuhet në urimin e Fetahut.
Për përkushtimin që kemi treguar në muajin e shenjtë të Ramazanit, shprehet Reisi, lutemi që me mëshirën e All-llahut Fuqiplotë të na kaplojë fryma e thënies së Muhammedit a.s.: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim të paluhatshëm dhe me vetëdije të lartë do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”
“Festa e Fitër Bajramit është triumfi i besimit ndaj pabesimit, i së mirës ndaj së keqes, i bujarisë ndaj koprracisë, i solidaritetit ndaj nënçmimit, i afrimit me njëri-tjetrin ndaj izolimit dhe largimit prej tjerëve, i paqes ndaj konflikteve, i shpirtërores ndaj materiales dhe i pajtimit ndaj hakmarrjes; shkurt thënë: kjo festë e madhe është simbol i kryerjes së amanetit të besuar nga i madhi Zot. Urime dhe e gëzofshim të gjithë këtë ditë të madhe! Na qoftë e bekuar Festa e Fitër Bajramit”, thuhet mes tjerash në urimin e kreut të BFI-së, Shaqir Fetahu.