Mesazhi i ‘fshehtë’ i vizitës së Ramës në Turqi, pedagogu Erlis Çela: Çfarë po synon kryeministri

168

Pas vizitës dy ditore në Turqi dhe pritjes që Presidenti Erdogan i rezervoi kryeministrit Edi Rama dhe një pjesë të gjerë të kabinetit qeveritar, shefi i qeverisë shqiptare pritet të vizitojë të premten Greqinë.

Kreu i ekzekutivit pritet të takohet me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe do të ketë po ashtu një darkë me kryeministrin Mitsotakis.

Pedagogu i gazetarisë dhe i komunikimit, Erlis Çela komentoi në Euronews Albania vizitën e shefit të qeverisë në Turqi dhe mesazhet, që përcolli ajo tek opinioni publik shqiptar.

Ai u shpreh se vizita e Ramës nuk synon të ndryshojë kurs diplomatik sa i takon marrëdhënieve me Turqinë apo vendeve të tjera, por kjo vizitë sipas tij është manovër elektorale.

“Nuk mendoj se Rama është në një moment për të ndryshuar kursin diplomatik për marrëdhëniet sa i përket Turqisë dhe vendeve të tjera. Duket se vizita është zgjedhur në vazhdën e agjendës elektorale të kryeministrit. Edhe nga agjenda dhe nga diskutimi, duket se i shërbejnë logjikës elektorale të kryeministrit për të paraqitur veten si lideri rajonal për të zgjidhur konfliktet rajonale”, tha ai.

Pedagogu tha se Shqipëria nuk ka alternativë të dytë sa i takon integrimit përveçse Bashkimit Evropian.

“Ne nuk kemi alternativë të dytë. Shqipëria nuk ka alternativë sa i përket marrëdhënieve dhe integrimit”, u shpreh pedagogu.

Sipas tij, Shqipëria duhet të mbajë marrëdhënie të mira me Ankaranë, por jo ta shohë atë si zëvendësim për vetë Bashkimin Evropian.

“Nuk mund të jetë Ankaraja alternativë e Brukselit për shumë arsye. Së pari, Shqipëria ka zgjedhur një rrugëtim euroatlantik, të cilin duhet ta ndjekë me forcë, dhe një retorike kundër BE, sidomos e zgjedhur për t’i bërë qejfin presidentit të Turqisë, është e papranueshme”, shtoi ai./Euronews