Pas shumë sfidave dhe mospajtimeve rreth ballafaqimit me pandeminë e Covid-19, sfidat lidhur me politikat për migrantët, zgjerimi, financat, por edhe refleksionet politike nga largimi i Britanisë, duke se tani para Unionit po hapet një sfidë e re që në mënyrë shtesë e rrezikon kompaktësinë dhe stabilitetin e bllokut
Xhenur ISENI
Shkup, 19 prill – Problemet në funksionimin e Bashkimit Evropian assesi të qetësohen. Pas shumë sfidave dhe mospajtimeve rreth ballafaqimit me pandeminë e Covid-19, sfidat lidhur me politikat rreth migrantëve, zgjerimi, financat, por edhe refleksionet politike nga largimi i Britanisë, duke se tani para Unionit po hapet një sfidë e re që në mënyrë shtesë e rrezikon kompaktësinë dhe stabilitetin e bllokut. Gjatë vikendit të kaluar, partia Alternativa për Gjermaninë në Kongresin e Dresdenit, filloi iniciativë për largimin gjerman nga Bashkimi Evropian. “Sipas mendimit tonë, Gjermania duhet ta lëshojë BE-në dhe të krijon një hapësirë të re ekonomike që i ndjek interesat e përbashkëta”, thuhet në Rezolutën partiake pas Kongresit të Alternativës për Gjermaninë, parti kjo në rritje në mesin e gjermanëve. Ndërsa më parë, udhëheqësia e Hungarisë kërcënoi me një aksion të njëjtë politik. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke komentuar politikat e BE-së rreth migrantëve, kërcënoi se vendi i tij mund ta braktisë Unionin. Orban informoi se është e mundur që në shtator apo tetor – të mbahet edhe referendumi lidhur me temën nëse pajtohen qytetarët me politikat e Brukselit, dhe paralajmëroi se varësisht prej rezultatit, është e mundur që BE të mbetet pa një anëtare, duke i referuar vendit të tij.
Për momentin, Evropa po ballafaqohet me korona-krizën, e cila në çfarëdo mënyre, politikisht po reflekton ndaj Unionit. Dalja nga kriza shëndetësore dhe politike do të jetë shumë më ndryshe nga krizat e kaluar, si ajo e krizës financiare nga viti 2008 deri në vitin 2009, krizës me konfliktin në Ukrainë dhe nga kriza e refugjatëve në vitin 2015.
Ndërkohë, njohësit e politikave ndërkombëtare thonë se proceset aktuale dhe iniciativat për dalje nga Unioni nuk janë lajm i ri, por ato janë vetëm mjete të politikanëve populist, të cilët janë në konflikt me Brukselin. Sipas tyre Maqedonia e Veriut duhet t’i ndjek ngjarjet aktuale, por në të njëjtën kohë nuk duhet të brengoset se ata do të arrijnë ta ngadalësojnë apo zbehin mbështetjen e vendeve për procesin e zgjerimit të Unionit, i cili është qëllim afatgjatë i jonë strategjik. Abdylvehab Ejupi, politolog, thotë se këto procese në Evropë po marrin dinamikë sepse Unioni për momentin po ballafaqohet me zgjidhjen e disa ndodhive të mëdha si pasojë e pandemisë së virusit korona. “Sa i përket këtyre zhvillimeve të fundit brenda BE-së, si kërcënimi i së djathtës ekstreme në Gjermani e përfaqësuar nga AFD, për largim nga blloku dhe deklaratat e kryeministrit hungarez Orban që ne vjeshtë do të shqyrtoj mundësinë organizimit të referendumit për ‘Hungxit’, mendoj që më tepër janë deklarata për konsum të brendshëm dhe vazhdimësi e agjendave të tyre të deritanishme që të kapin, shfrytëzojnë dhe të risin shtresën elektorale duke eksploatuar momentumet e këtilla të krizave e turbulence brenda BE-së si koronavirusi dhe efektet që po prodhon, si mungesa e sigurimit të vaksinave të nevojshme për të gjithë, vazhdimi i masave kufizuese, papunësia e kriza financiare, etj. Pra këto sjellje duhet parë nën prizmin taktiko-populist për përfitime afatshkurtra të cilët nuk kanë as fuqi politike të mobilizimit të shtresave më të gjera sesa tabani i tyre, brenda, dhe as alternativë gjeopolitike, jashtë”, shprehet ai.
Për Maqedoninë e Veriut, Ejupi thotë se këto procese janë interesante për t’i ndjekur, por ne nuk duhet të frikohemi dhe dekurajohemi se ata do të na ngadalësojnë anëtarësimin në BE. “Sa i përket pozicionimit të vendeve të Balkanit Perëndimor, dhe Maqedonisë së Veriut në veçanti në raport me këto zhvillimet mendoj se duhet ndjekur me vëmendje të plotë, por se nuk duhet dekurajuar në procesin e integrimeve për në BE, pasi ajo ka sakrifikua më shumë se çdo vend tjerë për këtë, duke ndryshuar edhe emrin e shtetit, tani po kalon ne faza shumë të komplikuar dialogut rreth identitetit, gjuhës e historisë me Bullgarinë. Gjithë kjo sakrificë me kaq shumë vite pritjeje në drejtim të realizimit të këtij hapi strategjik nuk guxon assesi të luhatet vetëm për shkak të lëvizjeve afatshkurtra brenda bllokut 500 milionësh si dhe kjo nuk duhet të jetë precedent dhe motivim për lëvizjet dhe partitë djathtiste të shtyjnë agjendat e tyre brenda vendit”, ka deklaruar për KOHA, Abdylvehab Ejupi, politolog. (koha.mk)