Borxhi i huave studentore në Shtetet e Bashkuara llogaritet në mbi 1.7 trilion dollarë, një shifër më e lartë se PBB-ja e vendeve si Kanadaja, Rusia dhe Koreja e Jugut. Tani, studentët në një nga universitetet më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara thonë se ata nuk do të paguajnë për mësimdhënien, nëse shkolla nuk plotëson kërkesat e tyre.
Një grup studentësh jashtë bibliotekës së Universitetit Columbia po kërkon lehtësimin e kostove të shkollimit gjatë pandemisë së koronavirusit. Universiteti privat elitar në qytetin e Nju Jorkut krenohet me mbi 31 mijë studentë që paguajnërreth 60 mijë dollarë në vit për shkollimin.
Organizatorët e studentëve mblodhën mbi 4 mijë nënshkrime me një listë kërkesash për universitetin, përfshirë një ulje prej dhjetë përqind të kostos së frekuentimit gjatë semestrit të pranverës.
“Megjithëse po marrim një produkt shumë më të ndryshëm nga sa kemi rënë dakord në fillim të hyrjes në Columbia, ende na kërkohet të paguajmë të njëjtin çmim”, thotë Willem Morris, student organizator në Universitetin Columbia.
Mijëra studentë janë zotuar të mos kryejnë pagesat e tyre për shkollimin duke filluar nga 22 janari.
Por kostoja e lartë e arsimit në kolegj nuk është asgjë e re.
“Problemi i arsimit të përballueshëm ka ekzistuar shumë kohë më parë se pandemia. Kjo çështje është shumë më e madhe se Columbia dhe ka studentë kudo që luftojnë me të njëjtat pyetje se si të përballojnë kolegjin kur kostoja vazhdon të rritet çdo vit”, thotë zoti Morris.
Borxhi studentor është forma e dytë më e lartë e detyrimit financiar në Shtetet e Bashkuara. Vlerësohet se 70 për qind e studentëve amerikanë marrin hua shkollimi për të paguar për arsimin e lartë; secili ka mesatarisht borxh mbi 36 mijë dollarë kredi federale.
Sidoqoftë, studentët nuk janë të vetmit që përballen me sfida financiare. Institucionet e arsimit të lartë tani po investojnë më shumë në fusha si mësimi në internet gjatë pandemisë – dhe ndërsa shkollat private si Columbia financohen nga donatorë privatë plus tarifat e shkollimit, institucionet publike mbështeten tek subvencionet shtetërore.
“Situata financiare para pandemisë nuk ishte e mirë… Shtetet kanë tërhequr fondet dhe ka pasur më pak mbështetje nga publiku për arsimin e lartë dhe për shkak të kësaj kostoja u ka shkuar studentëve. Tarifat e shkollimit të studentëve rriten; kjo është një sfidë themelore dhe çështje themelore; ekziston një pikëpyetje afatgjatë se kush do të paguajë për të gjitha këto”, thotë Matthew Pellish, drejtor në Bordin Këshillimor të Arsimit (EAB).
Muajin e kaluar, zyrtarët e Universitetit Columbia njoftuan se do të rrisin ndihmën financiare për semestrin pranveror dhe se do të ndalin vendosjen e kamatave për pagesat e vonuara të shkollimit. Në një deklaratë nga Universiteti Columbia thuhet se: “Ky është një moment kur një rivlerësim aktiv i status quo-së është i kuptueshëm dhe ne nuk presim asgjë më pak nga studentët tanë. Zërat e tyre janë dëgjuar nga drejtuesit e Columbias, dhe pikëpamjet e tyre për forcimin e Universitetit janë të mirëpritura”.
Disa universitete dhe kolegje të tjera tashmë e kanë lehtësuar barrën duke ulur kostot e shkollimit dhe tarifat për shkak të pandemisë.
“Ajo që shohim këtu është se kemi arritur shumë, por ky është vetëm hapi i parë në mënyrë që ta vazhdojmë këtë lëvizje duke përfshirë sa më shumë njerëz. Do të ndërtojmë diçka më të fortë dhe ata do të na dëgjojnë më në fund, por duhet fuqia e njerëzve”, thotë Maria Ordonez, aktiviste dhe kandidate për në këshillin e qytetit.
Organizatorët e grevës pretendojnë se janë takuar me studentë nga mbi 70 universitete të ndryshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar duke diskutuar mënyrat për të organizuar një grevë kundër pagesa për mësimdhënien. Ekspertët thonë se disa institucione të arsimit të lartë mund të mos i rezistojnë barrës financiare të pandemisë dhe shkurtimet mund të jenë mënyra më e mirë për të mbijetuar.