MES LUKSIT DHE VARFËRISË: Qytetari i varfër, shteti i pasur

44

Rreth 460 mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë nën kufirin e varfërisë. Shumica e tyre janë familje me tre ose më shumë fëmijë. Si rezultat i pandemisë, numri i të varfërve vazhdon të rritet

Destan JONUZI

Shkup, 28 nëntor – Statistikat tregojnë se vitin e kaluar, si dhe në vitin 2017 dhe 2018, nuk kishte asnjë përmirësim sa i përket nivelit të varfërisë. Përqindja në vitin 2019 është 21.9 e njëjtë me atë të vitit 2018. Përqindja ishte pak më e lartë tre vite më parë kur ishte 22.2 për qind ose rreth 460 mijë njerëz që jetonin nën kufirin e varfërisë. Nga 50 për qind, varfëria në ekonomitë familjare me tre fëmijë vitin e kaluar u ul në 45 për qind, apo vetëm për 5 për qind. Qeveria e LSDM dhe partnerët e koalicionit gjatë mandatit të parë premtuan se do të luftojnë varfërinë. Kryeministri Zoran Zaev me rastin e Ditës Botërore Kundër Varfërisë – 17 Tetori u mburr se punimet në vitet e fundit janë përqendruar në ngritjen e standardit të jetesës dhe uljen e kostove për qytetarët, dhe nivelit të varfërisë.

Ai përmendi si një shembull pozitiv rritjen e pagës minimale, ndihmën sociale dhe ndihmën për arsimimin e fëmijëve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Sipas tij, reforma shoqërore ka përmirësuar jetën e rreth 300.000 qytetarëve. “Jemi të përkushtuar që vendi të dal nga varfëria, ta zbusim atë në më shumë familje të jetë e mundur. Të gjitha ekipet qeveritare punojnë në këtë. Vëmendja jonë është përqendruar plotësisht në ruajtjen e vendeve të punës”, ka deklaruar Zaev.
Gjatë pandemisë, Qeveria siguroi karta pagese në vlerë prej 6.000 denarë për prindërit e vetëm, pensionistët me pensione deri në 15.000 denarë dhe të papunët. Masa përfshiu 85 mijë familje. Sipas Zaev, qeveria ka përmirësuar jetën e qytetarëve, por kjo nuk ka rezultuar në një zhvendosje të konsiderueshme në numrin e njerëzve që jetojnë nën kufirin e varfërisë. Shumica e të varfërve, sipas statistikave, janë të papunë ose rreth 42 për qind.

Edhe përkundër pushimeve nga puna të punëtorëve me të ardhura të ulëta, por edhe rritja e pagave në shëndetësi, arsim dhe kulturë, Maqedonia së fundmi ka rritur edhe pagën mesatare në vend për 2 mijë denarë, por edhe përskaj kësaj ekonomia po përjeton rënie. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare në shtator të këtij viti ishte 27.405 denarë, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ishte 25.435 denarë. Rritja e pagës mesatare në vend është kryesisht për shkak të rritjes së pagave në sektorët: Arte, argëtim dhe rekreacion, Prodhim dhe Shëndetësi dhe aktivitete të kujdesit shoqëror. (koha.mk)