Evis HALILI
Shkup, 3 janar – Në Maqedoni numërohen mbi 2500 kisha, manastire, xhami, tyrbe, katedrale…., ku ushtrojnë ritet e tyre pesë komunitetet fetare më të mëdha, si edhe dhjetëra bashkësi fetare e grupe më të vogla religjioze të vendosura në 33 seli, 25 në Shkup dhe të tjerat në qytetet kryesore të vendit, shkruan gazeta KOHA. Kjo shifër është versioni zyrtar që jepet sipas evidentimit më të fundit të bërë nga Komisioni i marrëdhënieve me komunitetet fetare dhe grupet religjioze, por që vazhdimisht ndryshon, për shkak të ndërtimit të faltoreve të reja, më të mëdha, apo edhe më të vogla, si edhe regjistrimit të gupeve religjioze dhe bashkësive të reja. Nëse nuk mund të thuhet që këto shifra janë të larta, për Maqedoninë që numëron jo më shumë se 2.070.226 banorë (sipas statistikës së vitit 2015), por vlen të ceket se organizimi i jetës fetare me komunitete, sekte, grupe religjioze e të tjera apo edhe me godina vazhdon në formë intensive dhe në disproporcion me zhvillimin e popullsisë dhe natalitetin. Numri i reduktuar i lindjeve, i kurorëzimeve, nga ana tjetër shtimi i numrit të divorceve, emigrimit kanë dhënë alarmin e plakjes së popullsisë dhe zbrazjes drastike të shumë vendbanimeve.
Pesë komunitete të mëdha dhe një sërë grupesh
Përveç pesë komuniteteve më të mëdha, ai ortodoks, mysliman, katolik, evangjelist-metodist dhe hebre, si të regjistruar figurojnë edhe një numër i madh selish të tyre, si dy lloje kishash adventiste, baptiste, evengjeliste, parakristiane e të tjera. Ndërsa më e reja është Bashkësia e Ortodoksëve Shqiptarë, selia e së cilës gjendet në Manastir. Sa i takon grupeve religjioze, shkruan KOHA, gjithsej janë tetë, me seli të vendosura nëpër qytete të ndryshme. Një pjesë prej tyre numërojnë pak anëtarë, madje në disa raste janë thjesht të regjistruar. Duke bërë që më shumë sesa funksionale, pjesa më e madhe e grupeve religjioze janë një numër më shumë në statistika. Si grupe religjioze të tilla janë ato, Froni i shenjtë e erenlerëve të botës, Qendra Satja Sai, Grupa kaderike – Xhenet, Ehli Sunet Vel Xhamat, e të tjera. Grupet religjioze në numër më të madh i takojnë besimit të krishterë, të tilla si Kisha kristiane adventiste (Shkup), Kisha kristiane adventiste – Dita e shtatë (Kavadar), Kisha Kristiane baptiste – Lami i mirë (Shkup), Kisha evangjeliste, Kisha evangjeliste kongresiane (Shkup), Kisha e apostullit të ri (Shkup), Qendra kristiane (Shkup). Sa i takon objekteve fetare janë të rikonstruktuara dhe kanë një histori të vjetër, ndërsa pjesa tjetër janë ndërtuar për herë të parë. Po ashtu shumë monumente të kulturës, kryesisht xhami janë shembur në periudhën para dhe pas luftës së dytë botërore, dhe mbi to sot janë ndërtuar institucione të ndryshme shtetërore, duke hequr çdo mundësi të rindërtimit të tyre. Po ashtu në disa xhami, si në Shkup, Prilep, Manastir e të tjera nuk bëhen shërbesa fetare, për shkak të statusit të tyre të pazgjidhur juridik. Sa i takon objekteve të kultit ortodoks, kryesisht manastiret, nuk janë funksionale, përveç se në shtatë manastire ku jetojnë murgjar (Kërçovë, Dibër dhe Ohër), ndërsa në shtatë të tjera më Ohër ka kushte, por jo edhe jetë të organizuar fetare.
Rivaliteti
Shtrirja gjeografike e tyre është në gjithë vendin, por mund të shihet se pjesa më e madhe e tyre gjenden në zona periferike, jashtë qyteteve dhe në fshatra. Në Shkup, sipas gazetës KOHA, rivaliteti fetar sa i takon numrit të objekteve të kultit që i takojnë dy komuniteteve më të mëdha fetare nuk ka ndonjë dallim të madh. Myftinia e Shkupit numëron 115 xhami (28 qytet, 87 periferi), ndërsa Dioqeza e Shkupit Veri – Jug si pjesë e Kishës Ortodokse Maqedonase numëron 136 kisha, kishëza e manastire. Po në Shkup janë të vendosura edhe të tjera objekte kulti, si ato që i takojnë besimit katolik, gjithsej pesë, ato të besimit hebre – tre (dy sinagoga dhe Qendra memoriale) dhe dy të tjera që i takojnë Ekzarkatit apostolik. Rivaliteti mes dy bashkësive fetare është më i madh në zona si Dibër, Strugë, Kumanovë…., ndërsa Ohri dhe rrethina është një prej vendeve ku dominojnë kishat dhe manastiret. Kisha ortodokse ndahet në gjashtë eparki, ndërsa Bashkësia Islame numëron 13 myftini. Projektet për ndërtimin e objekteve fetare, të cilat gjatë viteve të fundit kanë qenë të shumta, kanë shkaktuar ashpërsimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare. Ndërtimi apo edhe rindërtimi i objekteve të kultit, por edhe i simboleve fetare është keqpërdorur politikisht në shumicën e rasteve. Në Komisionin e marrëdhënieve mes bashkësive fetare, që luan rolin e një ndërmjetësuesi me shtetin thonë se ankesat janë nga më të ndryshmet, kryesisht për cenimin e të drejtave dhe lirive fetare. Zeko Abazi, zëvendëskryetar i Komisionit thotë se çështja e mosregjistrimit të komunitetit bektashian, është një prej ankesave që qëndron më gjatë në sirtar, po aq sa edhe çështja e kthimit të pronave të komunitetit mysliman. “Ne mundohemi të jemi një lloj ndërmjetësuesi dhe rregullatori për komunitetet dhe grupet religjioze. Janë bërë hapa në këtë drejtim, por jo mjaftueshëm për të përmirësuar jetën e përgjithshme dhe harmoninë ndërfetare dhe për të siguruar liritë dhe të drejtat e tyre”, thotë Abazi.
KISHA ORTODOKSE MAQEDONASE
Eparkia Prespë-Pellagoni: 505 objekte
Eparkia Bregalicës: 160 objekte
Eparkia Dibër Kërçovë: 486 objekte
Eparkia Pollog-Kumanovë: 296 objekte
Eparkia Vardarit: 259 objekte
BASHKËSIA FETARE ISLAME
Myftinia Shkup: 115 objekte (28 Shkup; 87 periferi)
Myftinia Tetovë: 98 (12 qytet; 86 periferi; 2 teqe)
Myftinia Gostivar: 73 (8 qytet; 65 periferi; 6 teqe)
Myftinia Dibër: 50 (7 qytet; 43perfieri; 1 teqe)
Myftinia Kërçovë: 44 (7 qytet; 37 periferi; dy teqe)
Myftinia Strugë: 36 (5 qytet; 31 periferi; 2 teqe)
Myftinia Ohër: 11 (10 qytet; 1 periferi)
Myftinia Manastir: 24 (11 qytet; 13 periferi)
Myftinia Veles: 13 (1 qytet; 12 periferi)
Myftinia Prilep: 24 (2 qytet; 22 periferi)
Myftinia Kumanovë: 36 (3 qytet; 33 periferi)
Myftinia Shtip: 45
Myftinia Resen: 11
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.