Fatos RUSHITI
Shkup, 16 janar – Situata politike pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit në vend se të relaksohet dhe të ecë në drejtim të stabilitetit institucional, ajo është ngarkuar edhe më shumë me dilema rreth formimit të Qeverisë së re dhe mosgatishmërinë e politikanëve kryesor që të gjejnë zgjidhjen më të mirë për vendin. Pikërisht hezitimi i liderëve partiak që të deklarohen rreth formimit të Qeverisë, për analistin politik Ibrahim Memeti flet se të gjitha opsionet janë të mundshme, duke përfshirë edhe atë për Qeveri të zgjeruar apo edhe për zgjedhje të reja. Por, sipas Memetit, formula për Qeverinë në shtigje afatgjata do ketë sukses nëse do të zgjidheshin çështjet e hapura shqiptare. Nga ana tjetër, analisti Denko Maleski thotë se nuk ka nevojë për Qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Maleski thotë se liderët kryesor politik vetëm duhet të marrin përgjegjësitë që u takon për të formuar Qeverinë dhe se kjo do t’i shërbente më shumë demokracisë dhe cilësisë së qeverisjes në vend. Analisti politik Mehmeti thotë se rezultatet zgjedhore prodhuan situatë të komplikuar për formimin e Qeverise, por sipas tij, kjo mund të jetë shkas për të imponuar zgjidhje të reja në favor të shqiptarëve që do të ishin mësim për të ardhmen. “Para së gjithash duhet ta kemi të qartë se rezultatet zgjedhore krijuan situatë tepër të komplikuar për formimin e qeverisë, por në të njëjtën kohë kjo hap mundësi për zgjidhje te reja, sidomos për shqiptarët, e që mund të shërbejnë si mësim në të ardhmen”, thotë për gazetë KOHA, Ibrahim Mehmeti. Ai komenton edhe reagimet e fundit në distancë mes VMRO-së dhe BDI-së, duke theksuar se këto dy parti duan të ndërtojnë pozicione para zgjedhjeve lokale, duke lënë hapësirë edhe për zgjedhje të reja parlamentare.
Epilogu i Qeverisë varet nga qëndrueshmëria e shqiptarëve
Epilogu i zhvillime politike rreth ndërtimit të Qeverisë, sipas Ibrahim Memetit, do të varet nga qëndrueshmëria e partive politike shqiptare rreth mbrojtjes së platformës së tyre politike. “Reagimet e dy partive ne fjalë, ku është i qartë hezitimi për koalicionim, flet për atë se këto dy parti përpiqen të ndërtojnë pozicione për zgjedhjet lokale, por ndoshta edhe për zgjedhje të reja parlamentare. Është e qartë se VMRO përpiqet ta ruajë imazhin e saj para elektoratit të vet me retorikë përjashtuese ndaj kërkesave shqiptare. Megjithatë, epilogu i kësaj do të varet nga qëndrueshmëria e partive shqiptare ndaj asaj që janë zotuar bashkërisht, pra se sa do të mbrojnë deri nën fund platformën tyre politike”, thotë Memeti. Së çfarë qeverie i duhet vendit dhe si e sheh pozicionin e shqiptarëve në Qeverinë e re, ai thotë se mosdeklarimi i hapur i akterëve kryesor politik, flet se të gjitha opsionet janë të mundshme duke përfshirë edhe atë për Qeveri të zgjeruar apo për zgjedhje të reja. Në këtë kontekst, Memeti shton se në çfarëdo formule për zgjedhjen e Qeverisë, në shtigje afatgjata për vendin, do t’i bënte mirë zgjidhja e çështjeve të hapura, me theks tek kërkesat shqiptare. “Aktorët kryesor politik hezitojnë të deklarohen hapur, që do të thotë se end nuk kanë ndërtuar qëndrime përfundimtare rreth Qeverisë. Ky mos deklarim lë të kuptohet se të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë edhe Qeverinë e zgjeruar apo atë për zgjedhje të reja. Por, sipas meje, në shtigje afatgjata, zgjidhja më e mirë për vendin do të ishte të mbyllen çështjet e hapura, sidomos me shqiptarët, gjë që do të mundësonte hapjen e rrugës për ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore multietnike, ku dy popujt, gjuha, identiteti i tyre dhe pozicioni politik dhe ai juridik, do të ishte në përpjestim të drejtë me numrin e banorëve në shtet”, thekson analisti Ibrahim Memeti.
Maleski: Pres që partitë shqiptare të koalicionojnë me LSDM-në
Ndërkaq, analisti politik Denko Maleski lidhur me situatën politike pret që liderët kryesor partiak të marrin përgjegjësinë për formimin Qeverisë së re. Në këtë prizëm, Maleski pret që partitë shqiptare të koalicionojnë me LSDM-së, nëse duan siç thotë ai, të ketë reforma në vend dhe të kemi Prokuroi Speciale. Pres që këto dy javë liderët kryesor partiak të marrin përgjegjësitë për të formuar qeverinë e re, nëse duam të dalim nga kriza e thellë politike dhe ta kthejmë vendin drejt stabilitetit dhe rrugës së integrimeve. Sa i përket asaj se kush duhet të merr përgjegjësi për të krijuar shumicën, pritjet e mia janë se partitë shqiptare duhet të koalicionojnë me LSDM-në. “Këtë e them, pasi siç po shihet, Nikolla Gruevski nuk do të lëshojë pe karshi kërkesave të tyre dhe ndaj vazhdimit të mandatit të Prokurorisë Speciale, për të cilën insistojnë ndërkombëtarët. Gruevski ende ka shansin të tregojë lidership dhe vendosmëri politike jo vetëm ndaj plotësimit të kërkesave të partive shqiptare, por se të vendosë rreth fatit të VMRO-së, e cila nëse vazhdon kështu që të kalkuloje vetëm për interesa e veta e jo për interesa shtetërore, që janë më se të nevojshme për momentin, rrezikon të humb shumë në të ardhmen, nëse LSDM dhe partitë shqiptare munden t’ia marrin pushtetin. Gruevski e di shumë mirë se reformat që po i kërkon BE nuk i garantojnë zbatim të plotë dhe sukses garnitura a tanishme qeveritare dhe ajo e udhëheqjes partiake”, vlerëson për KOHA, Malevski. Sipas tij, vendi më nuk ka nevojë për Qeveri teknike apo të zgjeruar dhe as të shkojë në zgjedhje të reja. “Mjaftë më me qeveri teknike, o Gruevski o Zaevi duhet të tregojnë se ia duhan të mirën këtij shteti. Qeveri teknike kishim dhe nuk arriti të zgjidhë krizën politike. Tani që kemi Parlament të ri dhe numrat tregojnë se o njëra o pala tjetër bashkë me partitë shqiptare mund ta formojnë Qeverinë. Them le të bëhet kjo pasi i shërben demokracisë, i shërben avancimit dhe kualitetit të politikës dhe qeverisjes së mirë. Qeverisja do të përparojë kur politikanët do të tregojë ndërgjegjshmëri të lartë dhe përgjegjësi ndaj situatës në vend, duke punuar të veprojnë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të avancojnë marrëdhëniet ndëretnike, në mënyrë që vendi të marr një pozicion të ri para sfidave që na presin-integrimi në NATO dhe BE, si dhe zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë”, thotë profesori i të drejtës ndërkombëtare, Denko Maleski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.