Qeveria dhe gjithë partitë politike nuk duhet të vazhdojnë të punojnë dhe bashkëpunojnë me kuazi gazetar, me portale që nuk kanë impresum apo tekste të panënshkruara apo me media për të cilat nuk dihet se kush është pronari. Porosia e qartë se partitë dhe elitat politike nuk do të komunikojnë me këto gazetarë patjetër të jetë hapi i parë në luftën kundër lajmeve të rreme
Destan JONUZI
Shkup, 27 korrik – Kryeministri Zoran Zaev së fundmi ka prezantuar planin aksionar qeveritar kundër përhapjes së lajmeve të rreme dhe sulmeve ndaj demokracisë. Plani parasheh masa sigurie dhe pro-aktive. Sipas planit, masa sigurie janë paraparë edhe për komunikimin e vet Qeverisë dhe kryeministrit, ndërsa është paraparë edhe fushatë e brendshme për vet të punësuarit në institucione etj. “Në përputhje me angazhimet për llogaridhënien dhe transparencën, Qeveria ka përgatit një plan veprimi për t’u ballafaquar me dezinfektimin dhe sulmet ndaj demokracisë në nivel sistematik me qëllim forcimin e sigurisë kombëtare dhe sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Zaev. Zhaneta Trajkoska, drejtore e Instituti për Studime të Komunikimit, thotë se asgjë e re nuk është që shtetet të tentojnë të hartojnë Strategji se si të ballafaqohen me dezinformatat. Sipas saj, dezinformatat bëjnë dëm gjithnjë e më të madh, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në politikat ndërkombëtar.
“Angazhimi i Qeverisë në luftën kundër dezinformatave duhet të përshëndetet. Qeveria ka mekanizma se si të ballafaqohet me dezinformatat. Hap tjetër i rëndësishëm në këtë plan aksionar është vendosja e mësimit medial në arsim dhe bashkëpunimi me organizatat e gazetarëve dhe mediave, në këtë kontekst duhet të informohen dhe edukohen qytetarët për fuqinë e manipulimit si dhe të njohin lajmet e rreme. Por më e rëndësishme para se gjithash për Qeverinë dhe gjithë partitë politike është të vazhdojnë të punojnë dhe bashkëpunojnë me kuazi gazetarë, me portale që nuk kanë impresum apo tekste të panënshkruara apo me media, për të cilat nuk dihet se kush është pronari. Porosia e qartë se partitë dhe elitat politike nuk do të komunikojnë me këto gazetarë patjetër të jetë hapi i parë në luftën kundër dezinformatave. Gjithçka tjetër vjen me kohën”, deklaroi Trajkoska për gazetën KOHA.
Nga ana tjetër, analisti Daut Dauti vlerëson se kjo çështje është tepër e ndjeshme për t’u normalizuar dhe për të pasur ndonjë institucion, i cili mund të përcaktojë. “Se në fushën e informimit ka shumë lajme të rrejshme dhe keqpërdorim të normave profesionale, kjo është e ditur, por cila do të ishte forma që ta luftosh një anomali profesionale, është problem! Përvojat e huaja mund të ndihmojnë dhe ato të implementohen sipas rrethanave edhe te ne, por në përgjithësi – jam skeptik se mund të arrihet diçka. Në parim, mund të kesh qëllime të mira dhe të mos e gjesh mënyrën adekuate. Në këtë fushë, çdo përpjekje duket se ka ndonjë prapavijë, siç sigurisht do të interpretohet edhe iniciativa më e re e Qeverisë për ta luftuar dukurinë e informimit të rrejshëm. Megjithatë, jam i sigurt se dy shoqatat e gazetarëve te ne dhe Qeveria do të bien kush në thua, e kush në patkua, shpesh duke mos ditur se përse do të jenë në pozita të kundërta”, deklaroi për gazetën KOHA, Daut Dauti, analist.
Ndërkaq, Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSD-Maqedonia) thekson se çdo Qeveri është e interesuar për lajme të mira dhe kjo është e njohur në teorinë politike dhe të informimit, por sipas tij, nëse nuk zbatohet plani, do të ishte një njollë tjetër e zezë për Qeverinë. “Nuk dihet saktësisht se çfarë do të përfshijë ky plan dhe sa do të zgjasë. Qeveria është e interesuar për lajme të mira dhe kjo është e njohur në teorinë politike dhe të informimit. Nëse zbatohet për qëllimin e aktorëve malinj është në rregull, por nëse keqpërdoret nga pushteti – do të ishte një njollë tjetër e zezë për Qeverinë. Siç dihet, Maqedonia e Veriut nuk renditet mirë në listën e lirisë së mediave dhe probleme shtesë nuk i duhen”, deklaroi për gazetën KOHA, Ibraimi. Ndërkohë që VMRO-DPMNE opozitare ka akuzuar kryeministrin Zaev dhe Qeverinë e tij si sinonim i gënjeshtrës.
“Zoran Zaev, sinonimi i gënjeshtrave dhe dezinformatave, tenton të vendos censurë ndaj mediave, të cilat nuk mendojnë si ai. Zoran Zaev me gënjeshtra dhe dezinformata erdhi në pushtet. Çdo gënjeshtër dhe dezinformatat e tij tanimë po zbardhen. Për këtë, Zaevi është në panik dhe po tenton ti frikësojë dhe censurojë mediat”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. Përndryshe, plani aksional për menaxhim me dezinformatat do të jepet në diskutim publik dhe se deri në përpunimin e versionit të tij final, do të dëgjohen mendimet e të gjithë faktorëve në shoqëri (mediat, institucionet, qytetarët, ojq etj). Plani përbëhet nga dy pjesë, në të parën janë përfshirë masa të sigurisë, ndërsa në të dytën masa pro-aktive. (koha.mk)