Son Heung-min është pa diskutim ylli i shndritshëm i Koresë së Jugut. Te sulmuesi i Totenhemit varen edhe fatet e një populli të tërë në Botërorin rus, pasi sytë e të gjithëve janë nga ai. Në sfidën debutuese ndaj Suedisë, Son nuk shkëlqeu dhe Koreja e Jugut u mposht 1-0 nga përfaqësuesja skandinave me një gol të Granqvist me penallti, 11-metërsh që u akordua nga ndërhyrja e VAR. Një humbje që i ka sjellë probleme jo vetëm kombëtares aziatike por edhe vetë sulmuesit që luan në Angli. Një eliminim që në fazën e grupeve do të ishte i rrezikshëm për fatet e Son. Siç raportojnë mediat angleze koha e tij po skadon dhe gjithçka ka të bëjë me faktin se Son duhet të kryejë shërbimin militar pra të marrë armët në dorë dhe t’i bashkohet ushtrisë koreano-jugore. Deri në moshën 28-vjeçare çdo qytetar koreano-jugor duhet të kryejë 2 vjet shërbim ushtarak. Megjithatë ligji nuk vlen njësoj për të gjithë pasi ka edhe përjashtime. Për momentin Son nuk do të shkojë në ushtri deri në verën e vitit 2019-të të paktën ky ka qenë vendimi paraprak i qeverisë koreano-jugore, por në rast të një eliminimi të shpejtë të Koresë së Jugut nga Kupa e Botës, shpëtimi i Son për të mos u qethur tullac do të jenë Lojërat Aziatike që do të zhvillohen në Indonezi mes muajve shtator dhe tetor të këtij viti por që ky eveniment nuk njihet nga FIFA dhe Totenhemi mund të mos e lejojë lojtarin të marrë pjesë, ndërsa shpëtimi i fundit mund të jetë Kupa e Azisë që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe në janar të vitit tjetër aty ku duhet që Koreja e Jugut të shpallet kampione dhe Son të shkëlqejë në mënyrë që t’i shpëtojë edhe për ca kohë shërbimit ushtarak.