Milan ka marrë një tjetër rezultat zhgënjyes në kampionat. Kuqezinjtë nuk kanë shkuar më largs e një barazim pa gola kundër Genoa-s në javën e nëntë të kampionatit. Një rezultat ky që ka dërguar milanezët në vendin e 11-të në kampionat dhe i ka larguar ata akoma më shumë nga zona Champions League. Në katër ndeshjet e fundit të Serisë A skuadra e Montella-s ka marrë vetëm 1 pikë: 3 humbje dhe 1 barazim.
Pavarësisht nga kjo ecuri zhgënjyese, drejtuesi kuqezinj kanë marrë vendimin që të vazhdojnë përpara me trajnerin 43-vjeçar. Lajmi është dhënë nga “Sky Sport”, që ka zbuluar se ka qenë Marco Fassone, administratori i deleguar i kuqezinjve ai që ka thënë fjalën e fundit.
Ndërkohë, vetë tekniku ka thënë në përfundim të ndeshjes se: “Po kalojmë një moment të veçantë për sa i takon rezultateve. Edhe sot skuadra ka dhënë gjithçka në fushën e lojës. Kohët e fundit po ndëshkohemi nga episodet, por unë ndiej besimin e klubit dhe të lojtarëve. Jam i bindur se ky ekip është në gjendje të dalë nga kjo situatë”.