Mbrojtja e trashëgimia është vendosur këtë vit nën dritën e fortë të prozhektorëve, duke e shpallur 2018-ën si “Viti i trashëgimisë kulturore evropiane”, e që do të thotë promovim i kujdesit për diversitetin kulturor, përpjekjeve për ta mbrojtur dhe konservuar atë. Për atë se çfarë ka ndodhur gjatë një viti, aktorë të kësaj sfere pohojnë se qasja ndaj trashëgimisë vazhdon të jetë selektive dhe shumë pak serioze, ndërsa trajtimi institucional është shumë larg normave dhe standardeve evropiane
Evis HALILI
Shkup, 28 shtator – Mbi njëzet muze, organizata joqeveritare dhe institucione të tjera janë përfshirë në manifestimin “Ditët evropiane të trashëgimisë” që zhvillohet nga datat 27 deri më 7 tetor. Mbrojtja e trashëgimia është vendosur këtë vit nën dritën e fortë të prozhektorëve, duke e shpallur 2018-ën si “Viti i trashëgimisë kulturore evropiane”, e që do të thotë promovim i kujdesit për diversitetin kulturor, përpjekjeve për ta mbrojtur dhe konservuar atë, shkruan gazeta KOHA.
Për atë se çfarë ka ndodhur gjatë një viti, aktorë të kësaj sfere pohojnë se trajtimi institucional është shumë larg normave dhe standardeve evropiane, qasja ndaj trashëgimisë vazhdon të jetë selektive dhe shumë pak serioze.
Drejtori i Qendrës Nacionale të Konservimit, Mehmet Selmani pohon se vetë situata ku gjenden institucionet, me mungesa të theksuara kuadri dhe qindra objekte nën kujdes, tregon se trashëgimia mbetet në margjinat e kujdesit shtetëror.
“Promovimi i trashëgimisë kulturore evropiane është i lidhur vazhdimisht me konceptin e diversitetit kulturor, që merr një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në mendimet bashkëkohore si një vlerë evropiane në vetvete dhe si një karakter specifik i kulturës evropiane. Ne duhet të jemi më korrekt dhe jo me qasje selektive ndaj kulturës dhe trashëgimisë, sidomos kur flasim për atë shqiptare. Por mbi të gjitha dua të veçoj një problem që e kemi, mungesën e kuadrit. Katedrat duhet të stimulojnë studentët që të paktën numri i arkeologëve, historianëve të artit të jetë më i madh. Si shembull e marr QNK, ku numri i specialistëve është jashtëzakonisht i vogël”, thotë drejtori i QNK, Mehmet Selmani.
Angazhimi institucional për të mbrojtur trashëgiminë është i vogël, pohon drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore, Skënder Asani.
“Instituti është duke punuar që të mbrojë dhe të afirmojë pjesën e trashëgimisë shpirtërore, por nevojitet një përkrahje më e madhe institucionale në mënyrë që trashëgimia të etablohet si duhet, me të gjitha potencialet e saj. Nga ana tjetër, proceset që po vijnë dhe ndodhin në Europë me vështirësi gjejnë zbatim tek ne për shkak se nuk janë kompaktibile me vetë mënyrën sesi perceptohen tek ne. Prandaj metodologjia për mbrojtjen e trashëgimisë duhet të ndryshojë, pasi qarqe të ndryshme institucionale vazhdojnë të jenë të ngarkuar me nacionalizma të cilat krijojnë barriera në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët”, thotë drejtori Asani.
Mbrojtja e trashëgimisë materiale dhe jomateriale është një temë që ngacmon vazhdimisht, thotë historiania artit dhe arkeologia Narona Luma.
“Në Maqedoni po mbahen aktivitete të ndryshme kulturore që i takojnë trashëgimisë kulturore, duke përfshirë debate kulturore, promovime librash nga trashëgimia, ekspozita e të tjera. Sikur ka filluar ringjallja dhe angazhimi i shoqërisë, si dhe institucioneve kulturore për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, por gjithsesi duhet ende edhe më shumë punë për të bërë dhe angazhim akoma më të madh. Ndoshta është ky fillimi ku punohet në këtë drejtim dhe shpresoj që në vazhdimësi në të ardhmen të përfshirja dhe përkushtimi të jenë edhe më të mëdha, sidomos për trashëgiminë kulturore shqiptare. Niveli ku është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë materiale dhe jomateriale është shqetësuese dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore duhet të jetë shqetësuese, sepse përmes saj kemi se çka ju tregojmë brezave të ardhshëm”, thotë Luma. (koha.mk)