Kjo lagje e re ndodhet në mes të fshatit Poroj dhe lagjes Drenovec në hyrje të Tetovës, ku në të kaluarën ka qenë e vendosur dhe ka funksionuar fabrika për prodhimin e Tullave. Banorët ishin ankuar se komuna nuk kishte marrë masa edhe përkundër premtimeve dhe vendimeve gjyqësore për rrënim
Urim HASIPI
Tetovë, 21 qershor – Pas 12 vitesh pritje dhe kërkesa të panumërta drejtuar komunës, bëhet hapi i parë për hapjen e rrugës për banorët e “Bllok 4” në zonën tek ish fabrika e tullave në Tetovë. Është rrënuar objekti që ishte pengesë që të hapet rrugë më e mirë për të lëvizur këta banorë, të cilët deri më tash kanë shfrytëzuar një kalim alternativ që ishte shumë i vështirë, shkruan gazeta KOHA. Pikërisht ky kalim alternativ ka qenë shkak që këta banorë edhe kanë dëmtuar automjetet e tyre. Banorët thonë se është bërë një hap i madh në të mirën e tyre.
“Blloku 4 që quhet kjo lagje këtu, për 12 vite me radhë është lënë pas dore, ndoshta edhe nuk kanë pasur faj, nuk ka pasur edhe aq shumë shtëpi, unë kam qenë i pari që kam ndërtuar shtëpinë në këtë bllok. Mirëpo, megjithatë kjo është një sukses shumë i madh pasi bëri një hap sa për të lëvizur në këtë rrugë. Është mirë që në të ardhmen, kushdo që bën projekte urbanistike, menjëherë të hapen rrugët tjera. Është një ndryshim i planit të bllokuar tonë që të zgjerohet akoma më shumë, që rruga e Ratajës që duhet të hapet edhe ajo rrugë, dhe jo vetëm këto 30 shtëpi, por edhe për 100 tjera bëhet edhe më mire”, u shpreh Hajri Ismani, banor. Ai më tej nënvizoi se rrënimi i objektit jep mundësi të reja që të hapen rrugë të tjera që do të mundësonin edhe qarkullim më të lirshëm të banorëve jo vetëm të kësaj zone.
“Meqë projekti i planit detal urbanistik shkon shumë nëpër prona private, e cila kushton shumë, ndërsa Rruga e Ratajës është e gatshme. Ne kemi biseduar edhe me zëvendësministrin e Mbrojtjes, ata janë të gatshëm dhe japin 15 metra prej lartë e deri poshtë rreth kazermës . Megjithatë, është bërë një hap i guximshëm nga ana e Komunës, sepse më herët kanë pasur frikë apo nuk kanë pasur guximin e duhur që të futen në planin detal urbanistik që vet e kanë bërë për të shmangur probleme të natyrave të ndryshme. Megjithatë, mendoj se tash Ligji ka filluar të funksionojë ashtu siç duhet”, tha ai. Nga Sektori për tokë ndërtimore thonë se rrënimi ka filluar dhe pritet që ai vend të merr pamje tjetër. “Objekti që ndodhej tej ish fabrika e tullave ka filluar të rrënohet dhe kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të mbi 20 banorëve. Po ashtu në këtë vend planifikojmë të ketë gjelbërim dhe park për fëmijë, njëkohësisht edhe do të rregullohet rruga, sepse me të vërtetë ka qenë një pengesë e madhe”, tha Arsim Nuredini nga Sektori për tokë ndërtimore.
Përndryshe, para dy jave banorë të kësaj lagje kishin dalë në protesta duke kërkuar që komuna që të merr masa për të rrënuar këtë objekt, i cili ishte bërë pengesë kryesore për lëvizjen e tyre. Kjo lagje e re ndodhet në mes të fshatit Poroj dhe lagjes Drenovec në hyrje të Tetovës, ku në të kaluarën ka qenë e vendosur dhe ka funksionuar fabrika për prodhimin e Tullave. Banorët ishin ankuar se komuna nuk kishte marrë masa edhe përkundër premtimeve dhe vendimeve gjyqësore për rrënim. (koha.mk)