Merr fund bojkoti! Fundjava i gjen në fushë, futbolli shqiptar pajtohet me qeverinë

24

Këtë fundjavë nis edicioni i ri futbollistik 2020-21. Më mirë vonë se kurrë. Sektori i garave në FSHF ka njoftuar klubet e futbollit që të nisin përgatitjet për të zbritur në fushë. Pritet që zyrtarisht të bëhet publik vendimi.

Fillimisht do të zbresin në fushë ekipet e kategorive më poshtë Superiores. Kategoria e Parë do të fillojë ditën e shtunën. Kategoria e Dytë një ditë më vonë, të dielën. Rikthehet në këtë mënyrë futbolli në Shqipëri, i cili ende nuk kishte filluar për sezonin e ri.

Sipas planeve, fundjavën e ardhshme pritet të nisë edhe Kategoria Superiore.

Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë, që nuk filloi aktivitetet futbollistike në kohë, për shkak të grevës së klubeve të Superiores apo Ligës Profesioniste, që kërkonte garanci nga qeveria përmes disa kushteve.

Dy ditë më parë pati edhe një takim mes kreut të FSHF-së Armand Duka dhe kryeministrit Edi Rama.

Pas shumë diskutimesh, duket se marrëveshja është arritur dhe FSHF-së ka ndezur dritën jeshile për rifillimin e kampionatit.