Të shtunën në mbrëmje, në “Wanda Metropolitano” të Madridit do të luhet finalja e Champions League, Liverpool-Tottenham. Pas finales së humbur vitin e kaluar, ish-portieri i Liverpoolit, Loris Karius, nuk dëshiron të marrë përsipër rreziqe, ndaj nuk do të jetë i pranishëm në stadium për të ndjekur këtë sfidë.
Portieri gjerman, me dy gafat e tij, u konsiderua shkaku kryesor i dështimit të “The Reds” ndaj Realit të Madridit, një vit më parë, kështu që ka menduar se është më mirë t’u qëndrojë larg shokëve të tij, për të mos i shpërqendruar.
Klubi i Liverpoolit i ka ftuar të gjithë lojtarët e huazuar, ndër ta edhe Kariusin (luan te Besiktasi), duke i siguruar biletat, por portieri ka vendosur të mos jetë i pranishëm për të ndihmuar moralisht shokët e tij që të ngrenë trofenë.