Kryeministri hungarez Viktor Orban mohoi se Hungaria është një nga 14 vendet, të cilat janë të përgatitura që të nënshkruajnë marrëveshje me Gjermaninë për përshpejtim të procesit të ripranimit të kërkuesve të azilit të larguar nga Gjermania, ndërsa kryeministri çek Andrej Babish, gjithashtu, me vendosmëri e hodhi poshtë lajmin se në mesin e këtyre vendeve është edhe Çekia.
Orban deklaroi për agjencinë e lajmeve MTI se ky raport është “shkëlqim i zakonshëm politik” dhe se marrëveshje e tillë nuk është arritur.
Kancelarja gjermane dhe kryetare e Unionit Demokristian(CDU), Angela Merkel dje u dërgoi raport, nën titullin “Më shumë rend dhe rregulla në politikën për emigrimin:situata pas samitit të BE-së 28/29 qershor”, të partnerëve të koalicionit Bashkimi Socialist i Krishterë (CSU) dhe të Partisë Socialdemokratike të Gjermanisë(SPD).
Zëdhënësi i Orban, Bertalan Havasi, deklaroi për MTI se qëndrimi i Hungarisë për emigrantët nuk ka ndryshuar që nga 2015 dhe se asnjë kërkues i azilit nuk mund të hyjë në Hungari pasi të ketë hyrë në Greqi ose në ndonjë vend tjetër anëtar të BE-së.
Në raport theksohet se 14 vendet anëtare i kanë thënë BE-së se janë të gatshme të nënshkruajnë marrëveshje me Gjermaninë për pranim të kërkuesve të azilit, të cilët më parë janë regjistruar në vendet e tyre. Në mesin e këtyre vendeve janë theksuar disa nga më të zëshmet në kundërshtimin e politikës së emigrimit të dyer të hapura të kancelares gjermane, përfshirë Hungarinë dhe Çekinë.