Disa politikanë nga dy parti qeveritare kërkojnë që qeveria në Berlin të sjellë masa të reja me të cilat do të rritet siguria publike, do të rritet vëllimi i video-monitorimit në hapësirën publike dhe do të forcohet deportimi i aplikuesve të refuzuar të azilit të cilët konsiderohen si të rrezikshëm për Gjermaninë, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Berlini. Njëra prej kërkesave për masa më të ashpra për siguri vjen nga CDU bavareze, partia si motër e CDU-së së Merkelit, prej ku kërkohet që policia dhe agjencitë e zbulimit të marrin fuqi më të madhe dhe në të njëjtën kohë të përmirësohet këmbimi i të dhënave midis institucioneve të ndryshme të cilat janë përgjegjëse në ndjekjen e individëve dhe grupeve të rrezikshme. “Kemi nevojë për një bazë të re për të arrestuar njerëz të rrezikshëm”, thuhet në dokumentin e CDU-së të titulluar “Siguri për lirinë tonë” përmbajtjen e të cilës e publikoi agjencia Rojters dhe për të cilën muajin e ardhshëm do të bisedojë kreu i partisë bavareze, transmetojnë mediat gjermane. Sipas dokumentit, agjencitë e zbulimit duhet të jenë të afta për të ndjekur individë nga mosha 14 vjeçare dhe të marrin autorizime më të mëdha për të arrestuar njerëz të cilët presin të deportohen. Sipas sondazheve, opinioni gjerman si rezultat i ndjekjes së njerëzve nga ana e shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore është ndarë në lidhje me mundësinë që të lejohet nivel i rritur i monitorimit të qytetarëve. Për socialdemokratët të cilët zakonisht janë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për sigurinë dhe të drejtat e njeriut nuk ka dilemë se të gjithë të cilët janë në listë për deportim duhet të jenë nën kontrollin e autoriteteve. Në Gjermani jetojnë rreth 550 njerëz, të cilët sipas shërbimeve gjermane të sigurimit mendohen si të rrezikshëm potencial për sigurinë publike ndërsa mbi 800 qytetarë gjermanë deri më tani kanë shkuar për të luftuar në Shtetin Islamik dhe grupe tjera radikale në Siri dhe Irak. Mbi 120 prej tyre veçmë janë kthyer në vend. Në disa raste paraprakisht, sindikata e policëve gjermanë publikisht është ankuar se shërbimet nuk kanë resurse të mjaftueshme për t’i ndjekur të gjithë terroristët potencial në vend.