Merkeli minus Angela

Lascheti apo Soderi për kancelar? Merkel-plusi apo një bavarez që shtiret për burrë të sertë? Akteri i tretë në këtë lojë, natyrisht, është COVID-19. Vitin e shkuar, gjermanët e zotë ia dolën që ta mbanin disi nën kontroll pandeminë. Sot, vendi është duke kapërcyer prej izolimit në izolim, teksa numri i rasteve të infektimit po ngrihet. Nëse kriza vazhdon, elektorati gjerman do të mund ta parapëlqente një xhaxha topolak, të parashikueshëm nga Rhinelandi para ambicies së shfrenuar të një mbreti në synim nga Bavaria

Nga Josef JOFFE

Zgjedhja e liderit të një partie evropiane – njërës prej përafërsisht 200 syresh në Bashkimin Evropian – normalisht nuk përbën ndonjë lajm të madh. Por i tillë është kur partia është forca më e fuqishme politike në vendin më të madh dhe më të pasur të BE-së. Gjatë fundjavës, Unioni Kristiandemokrat i Gjermanisë (CDU) ka caktuar Armin Laschetin, kryeministrin jo fort aspirues e fytyrëqeshur të Rhine-Westphalisë Veriore, për kryesues të tij. Laschet nuk është kushedi se çfarë ylli në skenën politike. Por mbajani mend emrin. Statistikisht, kristiandemokrati është favoriti i papritur për ta marrë detyrën e kancelarit. Pesë prej tetë kancelarëve të pasluftës të Gjermanisë kanë buruar prej CDU-së – nisur prej Konrad Adenauerit deri te kancelarja aktuale, Angela Merkel. Dhe partia e Merkelit aktualisht është duke prirë në sondazhet kombëtare me një epërsi të theksueshme, duke e shndërruar në një bast të sigurt faktin që pasuesi i Merkelit të dalë sërish prej kampit konservator, pas zgjedhjeve të përgjithshme në shtator.

Advertisements

Lascheti ballafaqohet me një proces dyhapësh: së pari karrigia në CDU, më pastaj kandidimi për kancelar. Historikisht, shefi i kësaj partie ka pasur përparësinë si përcaktues i standardeve, por jodomosdoshmërisht ka pasur edhe çelësin për nominim, i cili është caktuar për muajin mars. Por, përpara se të hyjmë në komplikime, le t’i hedhim një shikim Laschetit, i cili kishte shkuar në konventën që ishte parashikuar ta humbiste. Me fitoren e tij të befasishme, ai tani është kryekandidati për kancelari. Andaj, le të supozojmë se ai do ta formojë qeverinë e ardhshme. Çfarë mund të pritet? Një përgjigje me tri fjalë: “Merkeli minus Angela” – vazhdimësi maksimale. Lascheti nuk premton një agim të ri, apo shkëputje prej 16 vjetëve të centrizmit të Merkelit a animit zvarritës kah e majta. Kjo kthesë tash është përshpejtuar nga pandemia e COVID-19, e cila është duke nxitur një ekspansion masiv të shpenzimeve qeveritare dhe të ridistribuimit përreth Perëndimit. Me triliona euro janë derdhur tek individët dhe korporatat “e rëndësishme për sistemin”.

Prisni “Merkelizëm” është në rrafshin e politikave të Jashtme. Në garën tripalëshe për postin më të lartë partiak, dy rivalët e Laschetit – Friedrich Merz dhe Norbert Rottgen – premtuan që t’i ribalancojnë interesat gjermane në favor të “perëndimizmit”: më shumë për mbrojtje dhe NATO, më pak të mira për Rusinë dhe Kinën. Lascheti, nga ana tjetër, do t’i pasojë hapat e Merkelit. Quajeni këtë “centrizëm diplomatik”. Mos lejoni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta tërheqin Gjermaninë në konflikte me dy gjigantët e Lindjes. Mbani distancën prej Washingtonit. Mundohuni që të jeni në relacione të mira dhe gjithçka tjetër, siç i përshtatet pozitës së Berlinit në epiqendër të Evropës. Si kancelar, Lascheti nuk do ta sfidojë Rusinë duke e shkëputur gazsjellësin “Nord Stream 2” që do ta pompojë gazin rus direkt nga vendi, duke i anashkaluar Poloninë dhe Ukrainën dhe duke e rritur varshmërinë e energjisë gjermane nga Kremlini. Gjermania as nuk do ta përjashtojë teknologjinë 5G të Kinës prej rrjeteve të saja.44

Një sinjal i gjërave që do të vijnë është Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Investimit BE-Kinë, e arritur nën udhëheqjen gjermane vetëm tre javë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden. Me këtë marrëveshje (CAI), shpresa e Bidenit për rekrutimin e BE-së në një koalicion strategjik kundër Kinës është avulluar. Ç’është e vërteta, bashkë me Partneritetin Gjithëpërfshirës Rajonal Ekonomik – të cilin e arritën 15 shtete aziatike, përfshirë Kinën, gjatë muajit të kaluar – ujdia BE-Kinë e ka lënë SHBA-në jashtë, në të ftohtë. Për sa i përket Evropës, e ardhmja nën Laschetin po ashtu premton vazhdimësi. Kjo i nënkupton kunjët e hapur për Bankën Qendrore Evropiane, bashkë me një ndryshim edhe më të gjerë në shpenzime dhe kompetenca tatimore për Komisionin Evropian, ekzekutivin e pazgjedhur të BE-së.

Në vitet e saja të hershme si kancelare, Merkeli i luftoi transferimet masive të ndikimit dhe parasë nën ombrellën e BE-së. Tani, borxhi dhe unioni i transfereve është i kthyer nga brendësia, pa marrë parasysh se kush do të jetë kancelari i radhës. Edhe pa pushtet, Merkeli kësisoj do të vazhdojë që ta formësojë të ardhmen e Bashkimit Evropian. Ndonëse propabiliteti sugjeron se Lascheti do të jetë zotëri kancelari kur votat federale zgjedhore të numërohen më 26 të shtatorit, ai do të duhet të punojë fort për t’i unifikuar CDU-në dhe partinë e saj simotër bavareze, Unionin Kristiansocial (CSU). Duke ardhur nga prapavija në konventën e fundjavës, ai mezi se ia doli në votimin e dytë, duke fituar vetëm 521 nga 1001 votat. Ç’është edhe më keq, në zgjedhjet mbarëkombëtare, vetëm një e treta e të anketuarve kanë menduar se Lascheti mund “të përbëjë një kandidat të mirë për kancelar”. Rreth 55 për qind aluduan në shefin e CSU-së, Markus Soder, i cili padyshim se do ta sfidojë Laschetin për nominim. Ç’është e vërteta, Soderi ka kthyer vazhdimisht sytë kah shpërblimi kryesor.

Për çfarë zotohet Soderi? Pyetja paksa më e saktë do të ishte: “Për çfarë nuk zotohet ai?” Soderi kishte ndryshuar qëndrimet e tij me një shkathtësi të jashtëzakonshme, duke lëvizur lehtas nga e djathta në të majtën dhe anasjelltas, qoftë në aspektin e sigurisë së brendshme, emigracionit, “vlerave familjare”, izolimeve, politikave industriale apo vizionit gjerman të “Ujdisë së Re të Gjelbër”. Soderi kishte insistuar për sanksionimin e Rusisë, por gjithashtu ishte shfaqur i përzemërt me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Kremlin. A ekziston një dallim i madh midis dy liderëve të dy krahëve të Demokracisë së krishterë gjermane? Lanscheti, le të përsërisim, është “Merkeli minus Angela”. Soderi është një politikan, i cili mundohet të projektojë karizëm dhe guxim, ndonëse e shkuara e tij sugjeron për fleksibilitet të vazhdueshëm, të njohur gjithashtu si pavendosmëri apo oportunizëm.

Për pjesën e mbetur të botës, ka pak rëndësi se kënd e nominon partia në mars. Politikat e koalicionit shumëpartiak të Gjermanisë nuk janë të paracaktuara për anime të përnjëhershme, si në rastin e Donald Trumpit pas Barack Obamas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë përherë për disa shkallë kah e majta apo e djathta, duke gjurmuar thellësitë dhe duke qenë të vetëdijshme për rreziqet në ardhje – të gjitha këto duke i pasur imtësisht parasysh lëvizjet e humorrit mes elektoratit.

Lascheti apo Soderi për kancelar? Merkel-plusi apo një bavarez që shtiret për burrë të sertë? Akteri i tretë në këtë lojë, natyrisht, është COVID-19. Vitin e shkuar, gjermanët e zotë ia dolën që ta mbanin disi nën kontroll pandeminë. Sot, vendi është duke kapërcyer prej izolimit në izolim, teksa numri i rasteve të infektimit po ngrihet. Nëse kriza vazhdon, elektorati gjerman do të mund ta parapëlqente një xhaxha topolak, të parashikueshëm nga Rhinelandi para ambicies së shfrenuar të një mbreti në synim nga Bavaria.

(Autori është një anëtar i Institutit Hoover të Universitetit të Stanfordit, shërben në këshillin redaktorial të së përjavshmes gjermane “Die Zeit”)