Berlin, 7 nëntor – Kancelarja gjermane, Angela Merkel e hodhi poshtë mendimin e presidentit francez, Emanuel Makron se NATO është në gjendje të “vdekjes klinike” dhe theksoi se komente të tilla nuk janë të nevojshme, transmeton gazeta KOHA.
Në takim me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg, Merkel theksoi se Makron “përdorë fjalë drastike”, duke shtuar se ky nuk është mendimi i saj për bashkëpunimin në NATO.
“Nuk mendoj se vlerësimet e këtilla janë të domosdoshme, e madje edhe nëse kemi probleme, duhet të jemi të bashkuar”, potencoi kancelarja gjermane.
Nga ana e tij, Stoltenberg potencoi se Aleanca është e fuqishme, duke thënë se SHBA-ja dhe EVropa “bashkëpunojnë më shumë se sa gjatë dekadave të fundit”.
Presidenti francez, Emanuel Makron në intervistën dramatike për revistën “Ekonomist” pohon se NATO-ja ndodhet në gjendje të “vdekjes klinike”, ndërsa Evropa në skaj të humnerës.
Në intervistë Makron i paralajmëron vendet anëtare evropiane se tashmë nuk mund të mbështeten në SHBA-në, përkatësisht se nga SHBA-ja tashmë nuk mund të pritet të qëndrojnë në mbrojtje të vendeve anëtare të Aleancës.(koha.mk)