Berlin, 17 tetor – Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje qytetarëve sot se është e domosdoshme të bëhet gjithçka për të parandaluar përhapjen e pakontrolluar të koronavirusit.
“Ndodhemi në një fazë shumë serioze të pandemisë Kovid-19. Numri i njerëzve të infektuar të rinj po rritet çdo ditë. Pandemia po përhapet sërish me shpejtësi edhe atë më shpejt sesa në fillim, para gjysmë viti. Po vijnë muaj të vështirë. Se si do të duket dimri, si do të jenë Krishtlindjet tona, do të vendoset në ditët dhe javët në vijim. Për atë do të vendosim të gjithë me veprimet tona”, tha Merkel.
Ajo beson se është e rëndësishme çdo ditë në luftën për ta parandaluar përhapjen e pakontrolluar të virusit.
“Prandaj, është e nevojshme që kontaktet e secilit person të infektuar të njihen, në mënyrë që të ndërpritet zinxhiri i infeksionit. Zyrtarët shëndetësorë po japin një kontribut të madh në këtë, por aty ku numri i të infektuarve është i lartë, ata nuk mund të arrijnë gjithçka”, paralajmëroi kancelarja gjermane.
Merkel theksoi se çdokush mund të kontribuojë në uljen e numrit të të infektuarve, kryesisht duke mbajtur distancë, duke mbajtur maska mbrojtëse dhe duke respektuar udhëzimet e higjienës.
Ajo u kërkoi qytetarëve të heqin dorë nga çdo udhëtim që nuk është i nevojshëm, nga festimet, dhe, nëse është e mundur, të qëndrojnë në shtëpi.