Hamburg, 7 dhjetor – Kancelarja gjermane, Angela Merkel në fjalimin e fundit si lidere e Unionit kristiano-demokratik në pushtet (CDU) në Konferencën partiake në Hamburg u përshëndet me bashkëpartiakët me fjalim emocionues në të cilin tha se kishte nderin që ka pasur mundësi për 18 vite të jetë në krye të partisë.
“Dëshiroj T’ju falënderoj, për mua ishte nder i madh. Tani është koha të hapim kapitull të ri”, tha Merkel.
Ajo u përshëndet me ovacione nëntëminutëshe në fillim të Konferencës, në të cilën duhet të zgjidhet trashëguesi i saj në funksionin e liderit partiak.
Siç lajmëroi DPA, delegatët në Konferencë ngritën banerë me mbishkrimin “Faleminderit shefe” (“Danke Chefin”), përderisa Merkel e mbajti fjalimin e saj të fundit në cilësinë e lideres partiake.
Gjatë fjalimit të saj, Merkel foli edhe për të djathtën më të fuqishme në fytyrën e partisë antiemigrante Alternativa për Gjermaninë (AFD), duke cekur se ajo që i karakterizon demokristianët është që dallojnë nga të tjerët, por asnjëherë nuk e nënçmojnë askënd.
“Ne demokristianët ndonjëherë grindemi, por asnjëherë nuk mbjellim urrejtje kundër të tjerëve dhe nuk i nënçmojmë njerëzit e tjerë”, tha Merkel, duke shtuar se CDU çdoherë u shërben qytetarëve të Gjermanisë.
Lidhur me rezultatet jo të mira në hulumtimin e mendimit publik, Merkel u bëri thirrje kolegëve partiakë të kujdesen që CDU të tregojë atë që din.
“CDU e jona sot është më e ndryshme nga ajo në vitin 2000 dhe kjo është mirë. CDU në vitin 2018 ka të drejtë të shohë në të ardhmen me struktura të reja, por me vlerat e njejta që i përfaqëson”, tha Merkel.
Ajo njëherit i mbrojti të gjitha masat që i ndërmori gjatë udhëheqjes së partisë, duke folur me atë rast posaçërisht për heqjen e obligimit ushtarak dhe vendosjen e ndihmës sociale, e cila, siç tha, ishte përgjigje e vërtetë për pesë milionë të papunë. “Mbështetëm reformë të vërtetë”, tha Merkel.
Lidhur me heqjen e obligimit ushtarak theksoi se bëhet fjalë për hap të drejtë, i cili është përgjigje e qartë ndaj gjendjes së ndryshuar ndërkombëtare të sigurisë.
Merkel foli edhe për stilin e saj të përmbajtur të udhëheqjes, duke sqaruar se atje ku partia ka pritur përgjigje të ashpër më tepër ka “luftuar me heshtje”.
Ajo vlerësoi se tubimi i partisë është mundësi për vendosje të udhëzimeve për një CDU më të fortë.
Merkel përkujtoi se në Gjermani në 70 vitet e fundit CDU ishte në pushtet 50 vite dhe ka për qëllim të vazhdojë të kujdeset për vendin.
“Ne kemi fuqi të fitojmë në zgjedhje nëse luftojmë me vendosshmëri dhe unitet”, theksoi Merkel, duke i kritikuar me atë rast zënkat mes CDU-së dhe partnerit të koalicionit, Unionit kristiano-social bavarez (CSU).
Merkel u zgjodh lidere e CDU-së në vitin 2000, pas çka në vitin 2005 u bë kancelare gjermane. Në tetor të këtij viti ajo paralajmëroi se në Konferencën e dhjetorit të CDU-së nuk do të kandidojë edhe për një mandat në funksionin e lideres partiake, por se planifikon të mbetet në vendin e kancelares deri në vitin 2021.
Në garën për kryetar të ri të CDU-së marrin pjesë 12 kandidatë, ppr lufta kryesore pritet të zhvillohet mes tre prej tyre – sekretares së përgjithshme aktuale të partisë, Anegret Kramp Karenbauer, ish-koordinuesit të grupit të deputetëve të demokristianëve në Bundestag, Fridrih Merc dhe ministrit të Shëndetësisë, Jens Shpan.
Në tubimin e CDU-së në Hamburg marrin pjesë një numër i madh i mysafirëve.