Aushvic, 6 dhjetor – Kancelarja gjermane Angela Merel, për herë të parë në mandatin e saj në krye të qeverisë gjermane prej 14-të vitesh, e ka vizituar ish-kampin e përqendrimit në Aushvic dhe theksoi që ajo çfarë ka ngjarë në Aushvic, mendja njerëzore nuk mund ta kuptojë, transmeton gazeta KOHA.
Pas ardhjes në kampin ajo fillimisht e vizitoi muzeun në të cilin gjenden shumë gjësende të viktimave të përqendrimit në kampin famëkeq por edhe mbetje të pajisjeve për vrasjen e njerëzve. Së bashku me kryeministrin polak Mateush Moravjeci, ajo vendosi kurora lulesh në “murin e vdekjes”, para të cilit janë vrarë mijëra njerëz.
“E rëndësishme është që kriminelët t’i quajmë me emrat e tyre të vërtetë dhe ata jemi ne gjermanët. Rikujtimi i krimeve është përgjegjësi e jona, e cila asnjëherë nuk do të mbarojë”, theksoi Merkel.
Kancelarja Merkel theksoi se krimet e naziste në këtë kamp përqendrimi janë të pandashme nga identiteti gjerman.
“Krimet në Aushvic janë pjesë e fortë e identitetit tonë kombëtar, u shpreh ajo, dhe tregoi se krimet asnjëherë nuk duhet të harrohen dhe të tërhiqet vijë e as të relativizohen”.
Vizita e Merkelit në Aushvic, në Gjermani vlerësohet si ngjarje historike. Në këtë kamp përqendrimi deri më tani kanë qenë vetëm dy kancelarë gjerman. I fundit ishte Helmut Kol në verën e vitit 1995. Para tij në vitin 1977, ishte kancelari i atëhershëm Helmut Shmit, sikur kancelari i parë gjerman që ka vizituar Aushvicin.(koha.mk)