Zagreb, 20 nëntor – Kancelarja gjermane, Angela Merkel sot në Zagreb deklaroi se vendi i saj ishte i gatshëm të diskutojë për atë se çfarë mund të ndryshohet në metodologjinë e negociatave në procesin e zgjerimit të BE-së.
Në pyetjen se çfarë do të ndodhë me procesin e inkuadrimit të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe kur do të mundte të hynte Kroacia ne Shengen, Merkel tha se “nuk mund të ndodhë që BE të mos ketë perspektivë për ato vende”.
“Kjo nuk do të ishte mirë”, tha Merkel, e cila gjatë kohës së pres konferencës së përbashkët me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, shprehu edhe keqardhje që negociatat me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk u hapën gjatë takimit të fundit të Këshillit të BE-së.
Në lidhje me hyrjen e Kroacisë në Shengen, ajo tha se për këtë duhet të diskutohet në nivel të të gjitha vendeve anëtare.
Kryeministri kroat e përsëriti se nuk është reale që në Këshillin Evropian të vendoset për hyrjen e Kroacisë në Shengen në kohën kur vendi e ka presidencën me BE-në, por theksoi se për këtë me shumë gjasa do të debatohet.
“Ndërsa për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne do të bëjmë çmos që procesi i tyre i afrimit nga BE-ja të vazhdojë më tutje”, tha Plenkoviq.
Plenkoviq shtoi se për Kroacinë është me rëndësi të gjejë një zgjidhje për të hapur negociatat e inkuadrimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe shprehu keqardhje që nuk janë hapur deri më tani, transmetoi “Jutaranji list”
Në lidhje me propozimin francez për metodologjinë për pranimin e anëtareve të reja në BE, Plenkoviq përsëriti se korniza për negociata, e cila momentalisht përdoret për Serbinë dhe Malin e Zi, ka mundësi për suspendim të çdo kapitulli dhe kthimin e kapitujve të mbyllur përkohësisht, ndërsa këtu është përfshirë edhe reverzibiliteti i procesit.
Ai shtoi se me kancelaren gjermane ka biseduar për tema evropiane dhe bilaterale.
Në Zagreb mbahet Kongresi i Partisë Popullore Evropiane (EPP), i cili është grupi më i fortë politik në Parlamentin Evropian.(koha.mk)