Blloku konservativ në pushtet i Unionit demokristian (CDU) dhe Unionit sociolo-kristian (CSU), i kryesuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, fitoi në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Gjermani me 33,9 për qind të votave të fituara, tregojnë rezultatet preliminare përfundimtare. Siç njofton DPA, partneri i koalicionit CDU/CSU, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) e ish kryetarit të Parlamentit Evropian, Martin Shulc u plasua në pozitën e dytë me 20,5 për qind të fituara.
Suksesin më të madh në zgjedhje e arriti partia ekstreme e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AFD), e cila fitoi 12,6 për qind të votave dhe për herë të parë siguroi mandat në Bundestag. Partia demokratike liberale (GDP) i fitoi 10,7 për qind të votave, partia e Majta 9,2, Aleanca e të gjelbërve 8,9. Asnjë parti tjetër nuk fitoi vende në Bundestag. Merkel në deklaratën e parë pas publikimit të rezultateve, deklaroi se nuk mund të garantojë se deri në fund të vitit do të ketë sukses të konstituojë Qeveri të re, por e përjashtoi mundësinë për formimin e kabinetit pakicë.
Në pyetjen nëse është e mundur të formohet qeveri pakicë, Merkel u përgjigj se “nuk mendon për një gjë të tillë”, duke shtuar se ka për qëllim që Gjermania të ketë “qeveri stabile”. Merkel deklaroi se pret negociata të rënda për konstituimin e qeverisë së re gjermane. Sipas të dhënave preliminare, të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar 75 për qind e votuesve.