Kancelarja gjermane Angela Merkel vlerësoi se tashmë nuk ekziston rendi botëror i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore dhe se SHBA-ja praktikisht është bërë bashkë me Kinën dhe Rusinë si kundërshtarë të Evropës.
“Nuk ka dyshim se Evropa duhet të repozicionohet në botën e ndryshuar. Siguria e vjetër e rendit të vendosur tashmë nuk ekziston”, deklaroi Merkel në një intervistë për gazetën gjermane “Zidojçe cajtung”.
Ajo thotë se Evropa, e përballur me sfidat të cilat para saj i vendosi SHBA-ja, Kina dhe Rusia, duhet të bashkohet dhe të formojë së bashku front, duke shtuar se tradicionalisht aleanca e fuqishme ushtarake dhe diplomatike mes BE-së dhe SHBA-së është në “këmbë të qelqta”.
“Ata (Kina, Rusia dhe SHBA-ja) na detyrojnë, që përsëri, të gjejmë pozicione të përbashkëta. Kjo është shpesh e rëndë duke pasur parasysh interesat tona të ndryshme. Por, gjithsesi ne patëm sukses – kujtohuni, për shembull, në politikën tonë në lidhje me konfliktin në Ukrainë”, sqaroi Merkel.
Kancelarja gjermane vlerësoi se pikërisht populizmi djathtist, i cili sipas një pjese të opinionit të ekspertëve është shkak për Bregzitin, zgjedhja e Donald Trampit si president i SHBA-së dhe kthimi i disa shteteve evropiane kah e djathta, në mënyrë fondamentale e ndryshoi rendin global dhe e qoi BE-në në defensivë.
Trampi paraprakisht e akuzoi Merkelin se e “shkatërron Gjermaninë me atë që lejon qindra mijëra refugjatë sirianë dhe të tjerë të vijnë dhe të qëndrojnë në Gjermani”. Ai, në një intervistë nga viti i kaluar e cilësoi Evropën si “armike” të SHBA-së në lidhje me tregtinë, edhe atë para Kinës dhe Rusisë.
“Shumë persona janë të shqetësuar për Evropën, përfshirë edhe mua. Kjo nënkupton se edhe më shumë ndjej obligim që t’iu bashkëngjitëm të tjerëve në sigurimin e së ardhmes për Evropën”, potencon Merkeli.
Edhe presidenti francez Emanuel Makron shprehu shqetësim për shkak të qëndrimeve ekstremiste, duke potencuar se nuk mundet të ketë Evropë të fuqishme, nëse është e ndarë mes vete.
Duke folur në vigjilje të zgjedhjeve për anëtarë të Parlamentit Evropian, që do të mbahen në fund të këtij muaji, Makroni dje shprehu shqetësim për shkak të përforcimit të qëndrimeve dhe politikave ekstremiste në BE, të cilat, sipas tij, qojnë në dobësimin e Evropës.
Makron vlerëson se në kushte të Evropës së dobët, bota mund të sillet në situatë që të udhëhiqet nga “G-2”, gjegjësisht vetëm nga SHBA-ja dhe Kina.
“Nëse e copëtoni Evropën, nuk ka shanse që të keni Evropë më të fuqishme”, theksoi presidenti francez, duke shtuar se BE-ja në 70 vitet e kaluara ka pasur sukses “që qetë të bashkojë 28 kultura të fuqishme kombëtare”.(koha.mk)