Berlin, 3 korrik – Kancelarja gjermane Angela Merkel mbrëmë kumtoi se në takimin e djeshëm të krizës me partnerin më të vogël të koalicionit në Qeverinë e saj, Unionit Socialo-kristian (CSU), pas “luftës së rëndë” është arritur kompromis për emigrimin, që nënkupton ndërtim të qendrave transitore në kufirin e Gjermanisë me Austrinë.
Sipas Merkelit, është arritur marrëveshje që nga ato qendra emigrantët të kthehen në vendet në të cilat më herët ishin regjistruar.
“Me këtë është ruajtur fryma e partneritetit në Bashkimin Evropian”, deklaroi ajo, duke shtuar se njëkohësisht do të ndërmerren masa kombëtare, me qëllim që të menaxhohet me emigracionin.
Lideri i CSU-së, Horst Zehofer gjithashtu konfirmoi se është arritur marrëveshje për “emigrimin ilegal” dhe shtoi se mbetet ministër i Punëve të Brendshme të Gjermanisë.
“Pas bisedave intensive arritëm marrëveshje për atë se si mundemi në të ardhmen të pengojmë emigrimin ilegal në kufirin ndërmjet Gjermanisë dhe Austrisë”, tha Zehofer pas takimit të mbrëmshëm me Merkelin në Berlin.
Ai paraprakisht u kërcënua me dorëheqje nga funksionet ministër i Punëve të Brendshme dhe lider i CSU-së, nëse Merkel nuk pranon kontroll të kufirit, që do të nënkuptonte edhe kthim të disa emigrantëve nga kufiri gjerman.