Berlin, 28 shtator – Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka vizituar liderin opozitar rus, Aleksaj Navalni gjatë rikuperimit në spitalin në Berlin Sharite Mite, gjë që tregon se sa me seriozitet dhe kujdes kancelarja gjermane i është qasur këtij rasti.
Zëdhënësi i Angela Merkelit nuk deshi t’i komentojë këto informacione të publikuara nga Shpigeli gjerman.
Në ndërkohë, shefi i shtabit të Navalnit, Leonid Volkov, deklaroi se politikani opozitar rus është duke u rikuperuar shumë më shpejtë se që pritej.
Navalni, i cili u sëmur rrugës nga Siberia drejt Moskës më 20 gusht dhe ishte në gjendje koma për tri javë, u lirua javën e kaluar nga spitali në Berlin ku po mjekohej.
“Ai është shumë më mirë, befasishëm shumë më mirë. Mendoj se rikuperimi po shkon më shpejtë se që pritej, dhe nënkuptohet, ky është lajm i mirë që na bën të lumtur”, deklaroi mbrëmë Volkov për televizionin RTL.
Paraprakisht, autoritetet gjermane kumtuan se Navalni është helmuar me gaz nervor të fuqishëm dhe kërkuan nga Rusia ta analizojë rastin që ndodhi në territorin e saj.
Prania e agjentit nervor Noviçok nga koha Bashkimit Sovjetik tek Navalni është regjistruar nga laboratorët në Francë dhe Suedi.
Rusia i hodhi poshtë kërkesat ndërkombëtare për të filluar hetim, duke pohuar se testimet e tyre nuk kanë treguar për praninë e kësaj substance helmuese tek Navalni.
Navalni, kundërshtar i madh i presidentit rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se do të kthehet në Rusi me qëllim që ta vazhdojë aktivitetin e tij politik.