Berlin, 15 tetor – Kancelarja gjermane Angela Merkel sot vlerësoi se humbja e madhe e votave të partive anëtare të koalicionit të saj qeveritar në zgjedhjet e djeshme provinciale në Bavari, paraqet tregues se votuesit e kanë humbur besimin në Qeverinë, por premtoi se do ta kthejë besimin e humbur.
“Mësimi i tërë kësaj është se unë si kancelare duhet ta kthej besimin. Do të punoj në atë aq sa mundem në mënyrë më energjike”, deklaroi Merkel.
Unioni Socialo-Kristian (CSU), partia simotër bavariane e Unionit Demokristian (SDU) e Merkelit, në zgjedhjet e djeshme provinciale në Bavari e humbi shumicën në Parlamentin provincial, duke fituar 37,3 për qind të votave, përkatësisht një të tretën më pak në krahasim me zgjedhjet e vitit 2023.
Partneri i dytë në koalicionin qeveritar të Merkelit, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) kaloi ende më keq në zgjedhje, duke fituar diçka nën 10 për qind të votave ose dyfish më pak në krahasim me zgjedhjet para pesë viteve. Merkel në deklaratën e sotme vlerësoi se është treguar që madje edhe “të dhënat më të mira ekonomike dhe pothuajse punësimi i tërësishëm në të gjitha pjesët e Bavarisë, nuk ishin të mjaftueshme kur mungon diçka që është shumë e rëndësishme – besimi”.
Ajo theksoi se si udhëheqëse e “koalicionit të madh” të CDU-së, SPD-së dhe CSU-së, duhet të bëjë më shumë që ta kthejë besimin dhe “t’i bëjë rezultatet më të dukshme”. Liderja e SPD-së, Andrea Nahles sërish vlerësoi se rezultatet e zgjedhjeve nga Bavaria duhet të kuptohen si porosi se “duhet të ndryshohet stili i tërësishëm i punës së përbashkët”.